Detaje të tjera janë zbardhur nga vrasja e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në makinë në Montecalvoli di Santa Maria a Monte, në provincën e Pizës.
Ndërkohë është publikuar edhe fotoja e të riut që gjeti vdekjen nga plumbat.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 në Via della Repubblica, në qendër të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, i riu po kthehej nga një klub nate në zonën e Valderës, ku më herët ishte përfshirë në një konflikt.
Në momentin e sulmit ai ndodhej në sediljen e pasagjerit, ndërsa në makinë ishin edhe një mik dhe një kushëri i tij. Të shtënat erdhën nga një automjet tjetër në lëvizje. Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me sherrin e ndodhur në ambientet e klubit dhe po verifikojnë nëse autorët dhe viktima njiheshin mes tyre.
Muharremi punonte në një lavazh makinash në Fucecchio.
Banorët e zonës deklaruan se dëgjuan të paktën tre të shtëna dhe më pas thirrje që njoftonin se 25-vjeçari ishte vrarë. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.










