Kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se buxheti i planifikuar për vitin 2026 nuk i reflekton premtimet që kryeministri Albin Kurti dha gjatë ekspozesë për formimin e qeverisë, vetëm dy ditë më parë.
Hamza ka kërkuar një afat prej tri ditësh për të përgatitur propozime dhe për të zhvilluar diskutime para se të votohet buxheti në lexim të parë.
“Po besoj është mëse e qartë që nuk është tema te bllokada edhe te rreziku që vendi të jetë pa buxhet. Gjithë deputetët e kanë votuar dje vendimin për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars. Nuk kërkoi qëllimshëm askush që të humbet kohë, që vendi të vihet në vështirësi. Kërkuam afat të arsyeshëm, tri ditë. Ky buxhet nuk është në përputhje me ekspozenë e kryeministrit. Gjitha ato premtime nuk janë të reflektuara në këtë buxhet, janë dëshirore. Tërhiqeni dhe sillni pas tri ditësh, jeni të bindur që kemi me ia votu që të hyjë në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Hamza.










