Një pasdarke në objektin e RTV Klanit, gjithçka po shkonte sipas planit të Blendi Fevziut, autorit të emisionit fortë të shikuar “Opinion”. Në emision ishin mbledhur disa persona, tema ishte caktuar dhe mbarëvajtja dukej normale.
Megjithatë, gjithçka u prish nga “hyxhymi” i Berat Buzhalës, analist dhe pronari i Nacionales. I njohur gjerësisht si debatues pasionant, Buzhala u shndërrua për disa sekonda në “vullkan shpërthyes”, duke e derdhur “llavën” e tij verbale ndaj Albatros Rexhajt, analist dhe shkrimtar.
Pas “llavës” verbale, erdhi edhe erupcioni kulminant i Buzhalës, që përfshinte një shishe xhami, një hyxhym disa sekondësh në drejtim të Rexhajt, një sharje brutale provinciale dhe një krah në qafën e Rexhajt.
Përtej interpretimit të Gazetës më poshtë mund të shikoni sekondat e hyxhymit të Buzhalës ndaj Rexhajt:
Si nisi?
E gjithë përplasja nisi pas interpretimeve të ndryshme rreth gjykimit në Hagë. Megjithatë, emri i Albin Kurtit, që u përmend nga Buzhala, ishte vija çarëse e madhe mes Buzhalës dhe Rexhajt.
Rexhaj iu drejtua Buzhalës se “ju vetë e keni votuar”, duke e theksuar votimin që Buzhala ia kishte bërë kësaj gjykate si deputet i PDK-së. Pikërisht ky theksim e çoi Buzhalen në skajet e gjuhës.
“Hej, paloje qaty” – ishte kundërpërgjigjja e Buzhalës ndaj Rexhajt (Gazeta Politika e ka të pamundur të verifikojë nëse ky term, pra paloje, që është e folme rajonale kosovare, është kuptuar nga Fevziu dhe të tjerët si duhet).
“Trus qaty” – ishte tjetra fjali e Buzhalës, të cilën si duket nuk e kuptoi as Fevziu.
“Çka do me thënë trus?” – ishte pyetja krejt e pafajshme e Fevziut.
“Qepe” – dëgjohet një zë në prapavijë, teksa mundohej të përkthente në shqipe të njësuar të folmen krahinore të Buzhalës.
Pas pak sekondave, fillon hyxhymi i Buzhalës.
Kërkim falja, pajtimi dhe sqarimi
Pas këtij episodi, Buzhala shkroi shkurt në Facebook, duke e quajtur sjelljen e tij si gabim.
“Absolutisht kerkoj falje per sjelljen. Komplet gabim” – shkroi Buzhala.
Ndërsa në emision, Buzhala paralajmëroi se do të qëndronte larg paraqitjeve publike për një kohë, duke i përmendur menaxhimin më të mirë të emocioneve.
“Edhe një herë, kërkoj falje të gjithëve. Do ta stopojë daljen time në publik për një kohë të caktuar, duhet me i menaxhu emocionet pak më mirë. Është sjellje e pahijshme çfarë kam bërë” – tha Buzhala në një përpjekje “mea-culpa”.
Gjatë pjesës publicitare të “Opinionit”, duket se Fevziu u shndërru në Anton Çetë, duke pajtuar Buzhalën dhe Rexhajn.
Ndërsa në mëngjes erdhi edhe reagimi i Rexhajt në lidhje me këtë skenë disa sekondëshe.










