Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me rezolutën e miratuar në Kuvend, duke theksuar se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të pjesshme apo selektive.
Në reagim thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka “detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë”, e jo përmes rezolutave që, sipas LDK-së, mbesin të pjesshme në përmbajtje dhe mesazh.
LDK ka theksuar se mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, duke e cilësuar këtë si vlerë themelore të shtetit ligjor dhe të orientimit euro-atlantik të vendit.
Megjithatë, sipas kësaj partie, drejtësia nuk mund të jetë koncept i fragmentuar.
“Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj”, thuhet në deklaratë.
Deputetët e LDK-së kanë kërkuar që rezoluta të përfshijë qartë dhe pa ekuivoke obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë edhe vrasjet politike. Sipas tyre, kjo është një borxh ndaj viktimave, shoqërisë dhe vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë, sipas LDK-së, e ka bërë rezolutën “të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh”. Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i kësaj partie ka bërë të ditur se nuk pranon të legjitimojë, siç e quan, një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Në fund, LDK thekson se qëndrimi i saj është aktiv dhe parimor, duke nënvizuar se nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë; nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë; dhe nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
LDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të drejta e të paanshme dhe një shtet që, sipas saj, ka guximin të përballet me të vërtetën, e jo ta përzgjedhë atë.










