Një rast i dhunës në familje ka ndodhur orët e para të mëngjesit në fshatin Pasjak të Novobërdës, ku një grua ka kërkuar ndihmë pas një konflikti me bashkëshortin e saj.
Ngjarja është raportuar më 12 shkurt 2026, rreth orës 01:00, kur B. M rreth 29 vjeç ka njoftuar Policinë se ishte përfshirë në një përleshje me bashkëshortin e saj, H. M rreth 32 vjeç.
Njësitë policore dhe hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë intervistuar të dy palët, ndërsa viktima dhe i dyshuari kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj Hekuran Morinës është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Gjatë verifikimit në bazat policore është konstatuar se i dyshuari posedonte armë zjarri me leje valide. Me urdhër të Prokurorit, arma është konfiskuar në mënyrë preventive.
Më 12 shkurt 2026, rreth orës 10:30, njësia hetimore ka realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Pasjak, në prani të vëllait të tij, ku janë sekuestruar:
– një pistoletë e markës, kalibër 9 mm
– dy karikatorë
– 20 fishekë
– pajisje për pastrimin e armës
Për armën dhe municionin është lëshuar dëshmi për konfiskim të përkohshëm, ndonëse i dyshuari posedonte leje valide për mbajtje arme deri në vitin 2029.
Rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë.










