Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për përkujtimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetja Time Kadriaj ka përkujtuar me respekt sakrificën e familjes legjendare të komandantit Adem Jashari.
“Ka familje që bëjnë histori, por ka familje që bëhen vetë histori, dhe e tillë është familja e komandantit Adem Jashari,” tha Kadriaj.
Ajo rikujtoi se në marsin e vitit 1998, në Prekaz, u zhvillua një përballje mes frikës dhe lirisë, mes nënshtrimit dhe dinjitetit, që zgjati tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars. Familja Jashari qëndroi e pathyeshme përballë një makinerie të tërë ushtarake, duke e ditur se çmimi ishte i lartë dhe rreziku i madh, por duke ditur gjithashtu se liria kërkonte sakrificë.
“59 anëtarë të kësaj familjeje u flijuan – burra, gra, fëmijë. Ata nuk u tërhoqën, nuk u përulën dhe nuk e braktisën pragun e shtëpisë. Në atë kullë të Prekazit u mbrojt nderi i një kombi dhe e drejta për të jetuar të lirë në tokën tonë,” theksoi Kadriaj.
Deputetja e AAK-së shtoi se sakrifica e familjes Jashari u bë një kthesë historike, që zgjoji interes ndërkombëtar, mobilizoi bijtë dhe bijat e Kosovës dhe tregoi qartë se populli kishte vendosur të jetonte i lirë.
“Epopet e UÇK-së vazhduan në Dukagjin, Llap, Karadak, Anamoravë dhe në çdo cep të Kosovës. Çdo zonë operative e UÇK-së shkroi vet kapitullin e lavdisë, betejës dhe sakrificës. Ishte një kryengritje e përgjithshme për liri dhe shtet,” tha Kadriaj.
Ajo përmendi gjithashtu se sot, kompleksi memorial në Prekaz është vend pelegrinazhi, reflektimi dhe betimi për brezat e rinj dhe kujtesën kombëtare.
“Ky vend i kujton të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë dhe mbetet simbol i pavdekshëm i qëndresës dhe i sakrificës për kombin,” përfundoi Kadriaj.









