Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, njëherësh edhe kandidat për president, u zotua se do ta votonte Vjosa Osmanin dhe këdo tjetër që do të propozohej për president, si kundërkandidat i tij.
“Po pra, Vjosa Osmanin ose këdo, edhe unë vetë kam për ta votuar. Nëse opozita nuk e gjen asnjë emër, ky është një përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje”, deklaroi Konjufca sot, shkruan Insajderi.
Megjithatë, Konjufca është ministër dhe s’është deputet, andaj s’ka të drejtë vote për president.
Përveç kësaj talljeje, Konjufca ndër të tjera tha se “Lëvizja Vetëvendosje të bën tokë“.
Këshilltarja e presidentes, Learta Hollaj, përgjatë ditës së djeshme tha se Osmani u ftua vetëm sa për formalitet që t’ia bënte kundërkandidatin Konjufcës.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla“, deklaroi Hollaj dje.
Ka mbetur veç edhe sot afat për zgjidhjen e presidentit. Kandidati i vetëm zyrtar për president është Glauk Konjufca.









