Qeveria Kurti 3 është betuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti. Kabineti i ministrave i propozuar nga kryeministri Kurti kishte ndryshime nga ai i mëparshmi.
Një ndryshim i madh është vënë re me mungesën e “gjeniut” të Qeverisë Kurti 2. Besnik Bislimi është lënë jashtë çdo funksioni qeveritar. Edhe pse ai e kishte cilësuar veten si person me IQ-në më të lartë, Kurti nuk e mori në konsideratë këtë fakt.
Nuk dihet pse është lënë anash apo nëse do të shërbejë në ndonjë kapacitet tjetër.
Por “gjeniu” Besnik Bislimi nuk ishte i vetmi. Kryeministrit Albin Kurti, në ekspozenë e kabinetit qeveritar, i munguan edhe figura si Rozeta Hajdari, Arbërie Nagavci dhe Hysen Durmishi.
Në herën e parë kur Albin Kurti u bë kryeministër në vitin 2020, Besnik Bislimi shërbeu si: Ministër i Financave dhe Transferimeve në Qeverinë Kurti 1.
Kjo qeveri pati jetë të shkurtër (rreth 50 ditë) dhe u rrëzua me votë mosbesimi, pjesërisht për shkak të krizës së pandemisë COVID-19
Në mandatin e dytë të Kurtit, Bislimi u rrit në një rol edhe më të lartë: Zëvendëskryeministër i parë, përgjegjës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, duke qenë njeriu i dytë më i fuqishëm në kabinet pas kryeministrit.
Në këtë funksion ai udhëhoqi edhe dialogun me Serbinë dhe çështje kryesore strategjike të politikës së jashtme dhe integrimit evropian.










