Me votimin e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur përbërjen e re të kabinetit qeveritar, ku në postin e Ministres së Tregtisë është rikthyer sërish Mimoza Kusari-Lila.
Kthimi i Mimoza Kusarit në krye të kësaj Ministrie vjen pavarësisht faktit se ndaj saj ishte konfirmuar aktakuza për rastin e privatizimit të sektorit energjetik, çështje e cila ishte proceduar në gjykatë.
Në vitin 2021 ishte konfirmuar aktakuza ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 për rastin e hidrocentraleve, pasi Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Mimoza Kusari-Lilës, Besim Beqajt, Dardan Gashit, Nenad Rashiqit, Fllanza Hoxhës dhe Arben Gjukës.
Ish-ministrat akuzoheshin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me procesin e privatizimit të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Apeli kishte refuzuar gjithashtu edhe ankesën e Prokurorisë Speciale për të akuzuarit e tjerë ndaj të cilëve ishte pezulluar procedura, duke vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë kishte qenë i drejtë dhe i ligjshëm dhe pa shkelje esenciale procedurale.
“Për këtë rast, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe 15 persona tjerë po akuzoheheshin nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP), si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen te Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion, si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Po ashtu, dëm tjetër sipas PSRK-së është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, vlerë e cila nuk është regjistruar dhe prezantuar si vlerë e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së regjistruar në vitin 2003.
Me këto veprime, PSRK i kishte ngarkuar këta të akuzuar me veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në raportimet e asaj kohe.










