Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti duke reaguar për çështjen e presidentit, ka thënë se sot po përsëritet historia.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e rrëzon sërish qeverinë e tij dhe po shkakton zgjedhje të reja.
“Sot, me veprime të njëanshme pa asnjë lloj marrëveshje politike, e me një kandidat për President që nuk i ka votat e mjaftueshme, Kurti sërish po e rrëzon qeverinë që e udhëheq dhe po shkakton zgjedhje të reja. Kjo sjellje nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve, por bëhet vetëm për kalkulime politike.
Sot, qytetarët po e kuptojnë qartë se, sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike” – ka thënë ai.
Tutje, Hoti ka shkruar se faturën e veprimeve të papërgjegjshme po e paguajnë qytetarët e Kosovës.
“Skenari i Kurtit është i njëjtë si gjithmone: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje.
Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, ka nevojë për konsensus për çështje madhore dhe për stabilitet institucional.
Çështje madhore janë të gjitha ato çështje që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, siç është zgjedhje e Presidentit.
Faturën e veprimeve të papërgjegjshme e paguajnë qytetarët dhe gjithë shteti i Kosovës” – ka thënë ai.









