Avokati i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq, ka kundërargumentuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk mori pjesë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, sepse “ndihej e frikësuar nga kërcënimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”.
Misetiq në deklaratat e tij përmbyllëse pranë trupit gjykues në Hagë tha se ZPS-ja ka shtrembëruar kur ka thënë se LDK’ja s’ka marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës sepse ndihej e kërcënuar nga UÇK’ja.
“ZPS-ja argumenton se LDK kishte arsye të forta të bojkotonte qeverinë e përkohshme, kinse për shkak të kërcënimeve të UÇK-së. Të gjitha këto janë shtrembërime të ZPS-së. S’ka asnjë dëshmitar apo dokument që kjo ka qenë arsyeja pse e bojkotuan. Kjo është një teori e momentit të fundit të ZPS-së, që në fakt nuk ka ngritur asnjë deri më tani. Fakti është që sekretarja Albright dhe kryeministri Blair i bënin thirrje LDK-së të merrte pjesë në Qeverinë e Përkohshme por LDK-ja vijoi t’i refuzonte“, deklaroi ai.
“Nuk ka asnjë provë që tregon se LDK-ja i tha ndonjë institucioni të asaj kohe se nuk donin të bëheshin pjesë për shkak të kërcënimeve të pretenduara të UÇK-së. Thelbi është se z. Thaçi është përpjekur ta përfshijë në mënyrë të njëmendtë LDK-në në pranverën dhe verën e 1999-ës. I bëri thirrje në mënyrë të vazhdueshme të LDK-së të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme dhe ta merrte postin që i takonte“, tha më tej.
Sipas tij, LDK’ja refuzoi të merrte pjesë në Qeverinë e Përkohshme sepse dëshironte të kishte më shumë pushtet sesa që ishte përcaktuar nga Marrëveshja e Rambujesë.











