Seanca në Hagë, me deklaratat përmbyllëse të ZPS-së në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, është ndërprerë për sot.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë thanë se nesër prokurorëve do t’iu duhen më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West të mbajë një fjalë përmbledhëse.
Ishte West në fillim të ditës që njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.
Kjo kërkesë nxiti reagime në Kosovë, ku presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se çdo përpjekje për barazimin e luftës çlirimtare të UÇK-së me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi.
Nga Partia Demokratike e Kosovës reaguan ashpër, duke e akuzuar Gjykatën Speciale se ka “devijuar” nga misioni për të sjellë drejtësi.
Ndërkaq, ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cilësoi si “akt padrejtësie” kërkesën për burgim me nga 45 vjet për secilin të akuzuar.
Në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë me strukturë dhe hierarki.
Prokurorët përmendën qendrat e ndalimit të UÇK-së, ku pretenduan se aty u keqtrajtuan dhe vranë shqiptarë, serbë, e persona të nacionaliteteve të tjera, që thuhet se shiheshin si kolaboracionistë nga UÇK-ja.
Pas ZPS-së, fjalën përmbyllëse do ta kenë mbrojtësit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse. Më pas, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.








