Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë lidhur me burgimin prej 45 vitesh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se Prokuroria do ta kishte më të lehtë dhe më të sinqertë të deklaronte hapur se shqiptarët është dashur të rrinin duarkryq, të pranonin vrasjen, përdhunimin, nënçmimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet.
“Në këtë narrativë të mbrapshtë dhe thellësisht të padrejtë, problemi nuk janë krimet sistematike të Serbisë, por guximi i një populli për të mos u dorëzuar para shfarosjes. Viktima relativizohet, ndërsa rezistenca kriminalizohet”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas tij, historia nuk është shkruar nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.
“Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, shkroi tutje ai.
Çdo përpjekje për ta kriminalizuar këtë rezistencë nuk përfaqëson drejtësi, por, siç thotë Krasniqi, një akt politik të rrezikshëm që synon rishkrimin e historisë, barazimin e agresorit me viktimën dhe ndëshkimin e së drejtës për liri.








