Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, mbajtën sot konferencën e radhës njoftuese për media, në kuadër të përgatitjeve intensive për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e platformës shprehën falënderim të veçantë për kryetarët e komunave që deri më tani kanë pritur përfaqësuesit e “Liria ka Emër”, kanë shprehur mbështetje publike dhe janë angazhuar aktivisht në mobilizimin qytetar në komunat e tyre.
U theksua se ky bashkëpunim institucional është dëshmi e seriozitetit me të cilin po trajtohet kjo kauzë dhe e përgjegjësisë ndaj një momenti vendimtar për vendin.
Në fjalën e tij, Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e këtij mobilizimi në një fazë kyçe të procesit në Hagë.
“Mbështetja e kryetarëve të komunave dhe përfshirja e tyre aktive në mobilizim tregon se kjo çështje po trajtohet si interes i përbashkët qytetar dhe kombëtar”, ka thënë Tasholli.
“Jemi në javën vendimtare para fazës finale të procesit në Hagë dhe në këto momente, heshtja nuk është neutralitet, por mungesë qëndrimi”, shtoi ai.
Ai shtoi se marshi i 17 shkurtit do të jetë paqësor, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës, dhe se nuk organizohet kundër askujt, por në mbrojtje të dinjitetit të Kosovës, të së vërtetës dhe të sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria.
Në pjesën e dytë të konferencës, Eliza Hoxha foli për dimensionin shoqëror dhe moral të këtij mobilizimi, duke theksuar se drejtësia nuk mund të shkëputet nga e vërteta historike.
“Drejtësia nuk mund të lexohet pa kontekst dhe pa dallim të qartë mes agresorit dhe viktimës”, ka thënë Hoxha.
“Marshi i 17 shkurtit është zë qytetar, i qetë dhe dinjitoz, i një shoqërie që nuk pranon narrativa të padrejta dhe heshtje të imponuar”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se ky marsh u përket qytetarëve, familjeve të dëshmorëve dhe të zhdukurve, të rinjve, intelektualëve, punëtorëve dhe gjithë atyre që besojnë në dinjitet dhe drejtësi – dhe se përkrahja e deritanishme, e ardhur nga komuna të ndryshme dhe nga diaspora, dëshmon për një vetëdije të gjerë qytetare.
Platforma “Liria ka Emër” njoftoi se në ditët në vijim do të vazhdojë me takime, vizita në komuna, koordinim me shoqërinë civile dhe komunikim të rregullt publik, duke intensifikuar mobilizimin për pjesëmarrje sa më të gjerë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë.
Në fund, u ritheksua se ky mobilizim është një thirrje për drejtësi dhe dinjitet, e ndërtuar mbi respekt, qetësi dhe vetëdije të plotë për peshën historike të momentit.








