Irani nisi një hakmarrje të ashpër ushtarake ndaj Izraelit të shtunën në mbrëmje, duke lëshuar mbi 200 raketa balistike drejt qendrës së vendit, pas raportimeve se udhëheqësi suprem i Republikës Islamike, Ayatollah Ali Khamenei, u vra në sulmet e përbashkëta izraelito-amerikane në Teheran.
Sipas raportimeve të ekipeve të CNN në terren, të paktën një raketë iraniane arriti të depërtojë sistemin e mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditi zonën e Tel Avivit, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm. Një re e madhe tymi e errët u ngrit mbi qiellin e qytetit, ndërsa sirenat e alarmit luftarak u dëgjuan në të gjithë zonën qendrore të Izraelit, përfshirë Jerusalemin.
CNN raportoi se kjo dukej si vala më e madhe e raketave iraniane deri më tani kundër Izraelit. Shumica e raketave u neutralizuan, por depërtimi i të paktën një prej tyre tregon se tensionet kanë arritur kulmin.
Raportet fillestare sugjeruan goditje të drejtpërdrejta në katër vende të ndara në Gush Dan. Emergjencat Civile raportuan më vonë se shtatë persona u plagosën lehtë në një nga vendet, përfshirë një burrë 40-vjeçar në gjendje të rëndë. Pak më vonë, u raportuan gjithsej 16 të plagosur, dy prej të cilëve u përshkruan në gjendje të rëndë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se mbeten në gatishmëri të lartë për shkak të mundësisë që Hezbollahu të vendosë t’i bashkohet ofensivës dhe të hapë një front të ri.
Ushtria jordaneze lëshoi më vonë një deklaratë duke thënë se kishte kapur 49 mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe raketa që u nisën nga Irani drejt territorit izraelit.









