Shtetet e Bashkuara publikuan pamje nga momentet kur presidenti Donald J. Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës ndoqën operacionin ushtarak kundër Iranit, i cili nisi që në orët e para të mëngjesit nën emërtimin “Operation Epic Fury”.
Fotot tregojnë presidentin dhe ekipin e sigurisë kombëtare në një sallë operative, duke monitoruar në kohë reale zhvillimet në terren, përmes hartave dhe sistemeve të komunikimit ushtarak. Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të administratës dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Sipas njoftimeve zyrtare amerikane, operacioni synoi objektiva strategjikë në territorin iranian, në kuadër të një fushate të koordinuar me Izraelin për të goditur kapacitetet ushtarake dhe balistike të Teheranit.

Sulmi u zhvillua në mëngjes, ndërsa publikimi i pamjeve erdhi disa orë më vonë, duke konfirmuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të zinxhirit më të lartë drejtues në monitorimin e operacionit.
Administrata amerikane nuk ka dhënë ende detaje të plota mbi bilancin e dëmeve, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar pas kundërpërgjigjeve të paralajmëruara nga Teherani.










