Kryeministri Albin Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, paralajmëroi se po shkojmë drejt një gare partiake për President.
Kurti e quajti “lajm të mirë” faktin që Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që president i vendit të zgjidhet një emër i propozuar nga kjo parti.
Ai theksoi që kjo parti i ka 22 deputetë në Kuvend dhe se i duhen edhe 8 deputetë për t’i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për ta çuar propozimin zyrtarisht në Kuvend. Për ato 8 nënshkrime shtesë që i duhen, tha se mund ta ndihmojë edhe LVV-ja.
“Ata janë subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Republikës dhe askush nuk mund të jetë afër sikur ata që këtë numër 22 ta bëj 30, duke shtuar edhe 8 nënshkrime për propozimin që do të jetë nga ana e PDK-së. Ta shohim tash se si do të ecë kjo punë, por, në rastin më të keq edhe aty mund të ndihmojmë ne, ose mund t’i ndihmojë edhe dikush tjetër, në mënyrë që të kemi garë, sepse ju e dini që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga periudha para më shumë se një dekade kërkon që të ketë garë… Andaj shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt”, tha ai.








