Në spektaklin Prime të së premtes në Big Brother VIP Kosova, u transmetua rrëfimi emocional i banorës më të re të shtëpisë, Elijona Binakaj, e cila për herë të parë foli hapur për një kapitull të ndjeshëm dhe shumë të diskutuar të jetës së saj.
Historia e Elijonës ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike, për shkak të një të kaluare të trazuar në Gjermani, mirëpo këtë herë ajo vendosi ta tregojë vetë të vërtetën pas asaj që kishte ndodhur, duke befasuar publikun dhe banorët e tjerë.
Ajo rrëfeu se gjithçka nisi që në moshë shumë të vogël, kur ishte vetëm në klasën e dytë, duke theksuar dallimet e mëdha mes ligjeve gjermane dhe atyre në Kosovë. “Në klasën e dytë ka filluar të ndryshojë jeta ime. Në Gjermani ligjet janë pak më ndryshe se në Kosovë”, u shpreh Elijona.
Sipas saj, situata që çoi deri te ndërhyrja e autoriteteve lidhej me disa raste të përsëritura në shkollë, të cilat u interpretuan si neglizhencë prindërore. “Mami është dashur të shkojë në shkollë te motra dhe të vrapojë pas saj dhe ka ndodhur që dy-tri herë të më harrojë në shkollë. Edhe pse shkollën e kisha afër, në Gjermani nuk lejohet të ecësh vetëm për në shtëpi kur je në fillore”, tregoi ajo.
Elijona shtoi se edhe detyrat e shtëpisë, të cilat jo gjithmonë i kryente, u panë si një problem nga mësuesja dhe shërbimet sociale. “Të gjitha këto për mësuesen kanë qenë shqetësim për kujdesin e familjes, edhe pse realisht unë jam rritur me shumë dashuri. Kjo ka qenë arsyeja pse shkolla ka vendosur të më largojë prej familjes”, tha ajo me emocione.
Rrëfimi u bë edhe më i rëndë kur Elijona tregoi se për vite me radhë ka jetuar në një familje tjetër, pasi prindërit e saj kishin humbur gjyqin për kujdestarinë. Ky kapitull i jetës së saj, sipas Elijonës, ka lënë gjurmë të thella, por edhe e ka formësuar si personin që është sot.








