spot_img
spot_img
Friday, February 6, 2026
spot_img
spot_img

Vetëvendosje thotë se nuk do ta votojë buxhetin e Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, pa praninë e kryetarit të komunës, ku është diskutuar miratimi i buxhetit për vitin fiskal 2026. Gjatë seancës, drejtues të drejtorive komunale dhe përfaqësues të subjekteve politike paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.

Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, prezantoi strukturën e buxhetit dhe kërkoi aprovimin e tij në tërësi. Sipas saj, buxheti për vitin 2026 është i ndarë në pesë kategori ekonomike: pagat dhe mëditjet me 48.3 milionë euro, mallrat dhe shërbimet me 32 milionë euro, shpenzimet komunale me 3.5 milionë euro, subvencionet dhe transferet me 6.8 milionë euro, si dhe investimet kapitale që arrijnë vlerën prej 60 milionë e 800 mijë euro.

Makolli theksoi se buxheti është i ndërtuar mbi vizionin e transformimit të kryeqytetit dhe se projektet janë ndarë sipas kategorive përkatëse, duke u bazuar edhe në dëgjimet buxhetore. Ajo shtoi se, përveç projekteve të mëdha kapitale, buxheti përfshin edhe shpenzime operative që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke kërkuar miratimin e plotë të tij.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna deklaroi se LDK do ta mbështesë buxhetin, pasi sipas saj ai adreson nevojat e qytetarëve dhe nuk është vetëm një dokument financiar operacional, por një instrument zhvillimi që synon përmirësimin e jetës së përditshme dhe forcimin e kapaciteteve të kryeqytetit.

Mbështetje për buxhetin shprehu edhe Partia Demokratike e Kosovës. Leutrim Retkoceri theksoi se buxheti vjen në rrethana të vështira si pasojë e sfidave të vitit 2025 dhe se grupi i asamblistëve të PDK-së është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çdo situate që mund të rrezikojë miratimin e buxhetit dhe funksionimin normal të komunës. Ai nënvizoi se PDK ka kërkuar vazhdimisht më shumë transparencë, përfshirje të qytetarëve, dëgjime publike dhe prezantim të qartë të projekteve, duke theksuar se stabiliteti, vendimmarrja e mençur dhe përgjegjësia institucionale janë të domosdoshme për të çuar përpara Prishtinën.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk do ta votojë buxhetin. Gëzim Sveçla vlerësoi se Prishtina po ngec dhe se rritja e buxhetit po paraqitet gabimisht si sukses i qeverisjes komunale. Ai kritikoi edhe PDK-në për mbështetjen e buxhetit, duke thënë se ky buxhet më shumë i shërben PDK-së sesa vetë LDK-së.

Sveçla theksoi se po kërkohet votimi i draft-buxhetit pa asnjë raport financiar për vitin paraprak dhe pa llogaridhënie për rreth 150 milionë euro. Sipas tij, situata rëndohet edhe më tej nga fakti se ende nuk është diskutuar raporti i auditimit të pasqyrave financiare të komunës, ku, siç tha ai, gjetjet e auditorit kombëtar tregojnë shifra të papara më herët për keqpërdorime.

Ai kritikoi gjithashtu kryetarin e komunës, Përparim Rama, duke thënë se gjatë gjithë vitit të kaluar nuk ka raportuar asnjëherë para Kuvendit Komunal, pavarësisht obligimit ligjor për të paktën dy raportime vjetore. Sveçla shtoi se përmbajtja e buxhetit është alarmante, pasi tri projekte kryesore Sheshi “Xhorxh Bush”, Lidhja e Arbërisë me Qendrën dhe Tuneli në rrugën “Agim Ramadani” janë projekte me probleme ligjore dhe subjekt i trajtimit nga organet e drejtësisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit