Dy persona kanë përfunduar në pranga lidhur me rastin e rëndë të tentim-vrasjes që ndodhi mbrëmjen e sotme në rrugën “Enver Rexhepi” në Gjilan, pranë pikës së karburantit “HIB Petrol”, ku u raportua për shkëmbim zjarri mes dy automjeteve në lëvizje.
Burime konfirmojnë se të arrestuarit janë: Fatmir Azemi dhe Burim Xhemshiti.
Të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa ndaj tyre pritet të ndërmerren masa të mëtejme procedurale.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, i plagosur rëndë ka mbetur Arsim Krasniqi, rreth 40 vjeç, i cili fillimisht është dërguar në Emergjencën e Gjilanit dhe më pas është transferuar në QKUK për trajtim të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, gjendja e tij aktualisht është stabile.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë xhamash të thyer, ndërsa Policia kishte aktivizuar menjëherë “unazën e çeliktë” për lokalizimin e të dyshuarve.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.








