spot_img
spot_img
Wednesday, February 4, 2026
spot_img
spot_img

Prokuroria libiane heton vrasjen e djalit të ish-liderit libian Muammar Gaddafi

Prokurorët në Libi kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për vrasjen e Saif al-Islam Gaddafit, djalit të ish-udhëheqësit afatgjatë të vendit, kolonelit Muammar Gaddafi.

Sipas një deklarate zyrtare, 53-vjeçari, i cili për një kohë të gjatë shihej si pasardhësi i mundshëm i të atit, u vra gjatë një “përplasjeje të drejtpërdrejtë” me katër persona të armatosur dhe ende të paidentifikuar, të cilët hynë me forcë në banesën e tij në qytetin Zintan.

“Viktima humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit”, thanë prokurorët libianë të mërkurën, duke shtuar se po vijojnë përpjekjet për identifikimin e autorëve të sulmit.

Megjithatë, ekziston edhe një version tjetër i ngjarjes. Motra e Saif al-Islamit deklaroi për televizionin libian se ai kishte vdekur pranë kufirit të vendit me Algjerinë. Ndërkohë, avokati i tij i tha agjencisë së lajmeve AFP se një “njësi komando prej katër personash” kishte kryer atentatin në banesën e tij në Zintan, pa dhënë detaje mbi autorët ose motivet e mundshme të sulmit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm bëri të ditur se ekspertë të mjekësisë ligjore janë dërguar në Zintan, në veriperëndim të Libisë, për të kryer hetime të mëtejshme.


Saif al-Islam Gaddafi konsiderohej prej vitesh si figura më me ndikim dhe më e frikshme në vend pas të atit, i cili qeverisi Libinë nga viti 1969 deri në rrëzimin dhe vrasjen e tij gjatë kryengritjes së vitit 2011.

Redaktori për Çështjet Botërore i BBC-së, John Simpson, i cili kishte takuar më parë Saif al-Islam Gaddafin, e përshkroi atë si “një figurë të çuditshme dhe të paqëndrueshme, por shumë më pak ekscentrike se i ati”.

“Gjatë revolucionit të vitit 2011, ai pranoi të intervistohej për BBC-në, por më pas shpërtheu në fyerje ndaj meje përpara zyrtarëve të tij”, kujtoi Simpson. “Më pas i largoi ata, u kërkoi ndjesë dhe tha: ‘Kështu e presin prej meje’.”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit