Në zorrë, çdo ditë zhvillohet një proces kompleks – nuk shihet, nuk dëgjohet gjithmonë, por ndonjëherë ndihet. Gazrat, të cilat janë nënprodukte të tretjes, shërbejnë si lajmëtarë të rëndësishëm të sistemit tretës.
Në një moment të rritjes, gazrat ndahen në dy kategori: ose bëhen temë e sikletshme për të cilën heshtet, ose burim i pashtershëm shakash. Në moshën e rritur, humori shpesh zbehet, por ndjenja e parehatshme mbetet, veçanërisht kur gazrat janë të shpeshtë, të zhurmshëm ose me erë të pakëndshme.
Megjithatë, lirimi i gazrave është një dukuri fiziologjike universale. Pothuajse çdo njeri e përjeton çdo ditë. Për më tepër, gazrat nuk janë vetëm një nënprodukt i padëmshëm i tretjes, por edhe tregues potencial i shëndetit të sistemit tretës.
Çfarë tregon aroma e gazrave për shëndetin e zorrëve
Arsyeja pse disa gazra kalojnë pa u vënë re, ndërsa të tjerë ndihen shumë pakëndshëm, qëndron në përbërjen kimike.
– Shumica e gazrave janë pa erë, ndërsa aromat e pakëndshme vijnë nga sasi të vogla përbërësish që përmbajnë squfur dhe krijohen gjatë procesit të tretjes, shpjegon dr. Shaj Vishnumohan, doktor i shkencave të ushqyerjes dhe nutricionist në Perth, Australi.
Gjatë shpërbërjes së ushqimit, bakteret e zorrëve fermentojnë përbërësit e patretur dhe, si nënprodukt, lirojnë gazra. Aroma e gazrave mund të ndryshojë në varësi të ushqimit, por shumica e gazrave, si azoti, janë pa erë.
Ushqimet e pasura me squfur (mishi i kuq, peshku, vezët, lakra, brokoli, lakra e Brukselit dhe lulelakra) mund të shkaktojnë aroma që disa i përshkruajnë si “vezë të prishura”, për shkak të lirimit të hidrogjen-sulfidit.
– Ndryshimet e herëpashershme të erës konsiderohen normale. Por aromat e forta dhe të pazakonshme, veçanërisht kur shoqërohen me fryrje, kapsllëk ose diarre, mund të tregojnë çrregullime të tretjes ose çekuilibër të mikrobiomës, thotë Ava Safir, magjistre e shkencave dhe dietologe e licencuar në Nju Jork, SHBA.
Sipas saj, aromat e forta dhe afatgjata të gazrave mund të jenë shenjë e:
keqthithjes së karbohidrateve,
rritjes së tepërt të baktereve në zorrën e hollë (SIBO),
ose çrregullimeve të tjera të tretjes që kërkojnë vlerësim mjekësor.
Çfarë tregon zëri i gazrave për shëndetin e zorrëve
Fatkeqësisht, nuk është e mundur të parashikohet nëse gazrat do të kalojnë në heshtje apo do të jenë të zhurmshëm. Pavarësisht nga zëri, ai nuk lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e zorrëve.
– Zëri që prodhojnë gazrat është kryesisht mekanik dhe varet nga sasia e gazit, shpejtësia e lëvizjes nëpër zorrë dhe tonusi i muskujve, shpjegon Ava Safir.
Gazrat e zhurmshëm nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht problem; ato janë rezultat i kalimit të shpejtë dhe presionit, më shumë fizikë sesa biologji. Gazrat e qetë, por të vazhdueshëm, tregojnë fermentim më të ngadaltë. Vetëm kur zëri shoqërohet me dhimbje ose ngërçe, mund të jetë shenjë e një problemi.
Disa faktorë anatomikë mund ta bëjnë zërin më të theksuar: kapsllëku, tensioni i muskujve të dyshemesë pelvike dhe hemorroidet mund të ndryshojnë tonusin e muskujve rektalë dhe mënyrën e lirimit të gazrave.
Çfarë tregon shpeshtësia e gazrave për shëndetin e zorrëve
Mesatarisht, një i rritur prodhon rreth dy litra gazra në ditë, dhe është normale të lirohen gazra 15–25 herë në ditë. Lirimi shumë i shpeshtë mund të jetë arsye për vëmendje, ndërsa frenimi i gazrave çon në grumbullim më të madh në zorrë, gjë që mund të shkaktojë probleme serioze të tretjes.
– Lirimi i gazrave nga disa herë në ditë deri rreth 20 herë konsiderohet normal. Por nëse disa ditë mezi i vëreni, ndërsa ditë të tjera nuk mund t’i kontrolloni, kjo lidhet me ushqimin, thekson Ava Safir, duke iu referuar Everyday Health.
Gazrat e shpeshtë zakonisht shoqërojnë ushqimet e pasura me karbohidrate fermentuese, si fasulet, bishtajoret, alkoolët e sheqerit, ushqimet me FODMAP të larta, ose intoleranca ndaj laktozës ose fruktozës.
– Nëse rritni marrjen e fibrave, mos u shqetësoni; gazrat shtesë zakonisht janë të përkohshëm. Fryrja kthehet në normale brenda dy deri në gjashtë javësh pas rritjes së fibrave, shpjegon dr. Vishnumohan. Gazrat e vazhdueshëm, veçanërisht me diarre dhe humbje të pavullnetshme peshe, janë sinjal për konsultë mjekësore.
Si ndihen gazrat në bark
Simptomat ndryshojnë në varësi të dietës dhe gjendjes shëndetësore. Më të shpeshtat janë:
Gromësitja: lirimi i gazrave nga stomaku përmes gojës
Fryrja: ndjesi mbushjeje ose tensioni në bark
Flatulenca: lirimi i gazrave përmes anusit
Dhimbja: gazi i grumbulluar ose “i bllokuar” mund të shkaktojë dhimbje
Ndjesia në bark para dhe pas lirimit të gazrave mund të tregojë shumë për shëndetin e sistemit tretës. Pak parehati është normale, por dhimbja e fortë ose e zgjatur nuk duhet injoruar.
Ngërçet, dhimbja e fortë ose ndjesia e “bllokimit” mund të tregojnë:
tretje të ngadaltë,
kapsllëk,
ndjeshmëri të shtuar të zorrëve (hipersensitivitet visceral),
ose probleme me tretjen e disa karbohidrateve.
Kur gazrat janë arsye për shqetësim
Ekspertët paralajmërojnë për disa shenja që kërkojnë vlerësim mjekësor:
Gjak në jashtëqitje: i kuq ose i errët, kërkon kontroll urgjent
Simptoma që përkeqësohen vazhdimisht: fryrja, ngërçet ose gazrat që nuk zhduken mund të tregojnë çrregullime të rënda të tretjes
Dhimbje barku: gazrat nuk duhet të shkaktojnë dhimbje të forta; nëse ndodh, mund të jetë shenjë e SIBO-s ose intolerancave ushqimore
Humbje peshe pa arsye ose mungesë oreksi: mund të tregojë thithje të pamjaftueshme të lëndëve ushqyese
Ndryshime të pashpjeguara dhe të qëndrueshme: nëse nuk normalizohen pavarësisht rutinave të qëndrueshme, kërkojnë vlerësim mjekësor.








