Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot komunën e Podujevës, nga ku ka dhënë detaje të reja mbi hapat që po ndërmerren për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Gjatë deklaratës së tij, Kurti u ndal te përbërja e kabinetit të ardhshëm qeverisës, duke konfirmuar se baza e ministrave do të jetë ajo që ishte prezantuar publikisht gjatë vjeshtës së kaluar në bashkëpunim me Glauk Konjufcën.
Megjithatë, Kurti sqaroi se lista e emrave nuk do të mbetet e pandryshuar. Ai paralajmëroi se do të ketë rifreskime në ekipin e tij qeverisës.
“Do të ketë shumë prej emrave që i kemi prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, deklaroi ai para mediave.
Sa i përket procedurave kushtetuese, Kurti theksoi se fokusi i menjëhershëm mbetet legjislativi, për t’i hapur rrugë ekzekutivit.
“Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë”, u shpreh ai.








