Në “Big Brother VIP 5”, banorët patën mundësinë të ndanin me njëri-tjetrin histori personale nga momentet më të vështira të jetës së tyre. Rrëfimet u shoqëruan me emocione të forta dhe reagime prekëse, si brenda shtëpisë ashtu edhe nga publiku që ndjek spektaklin.
Mes lotësh, Selin tregoi për një periudhë të vështirë që familja e saj kishte përjetuar, kur vëllai i saj, Ono, kishte pësuar për herë të parë një krizë epileptike.
Ajo rrëfeu se ngjarja kishte ndodhur në një mbrëmje kur familja ndodhej në shtëpi, ndërsa në televizor po transmetohej një ndeshje e rëndësishme e kombëtares shqiptare. Fillimisht, zhurmat dhe ulërimat ishin keqinterpretuar si brohorima gëzimi për një gol, por situata kishte rezultuar shumë më serioze.
Selin tregoi se krizat e vëllait ndodhnin kryesisht gjatë natës, gjë që e kishte bërë të përjetonte ankth të vazhdueshëm. Ajo shpjegoi se shpesh qëndronte zgjuar për të qenë e gatshme të reagonte sa më shpejt në rast se kriza përsëritej.
Më tej, Selin bëri të ditur se pas një periudhe të gjatë përballjeje me situatën, gjyshërit e saj, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën përsipër ta dërgonin Onon atje për ndihmë mjekësore dhe për të kuptuar më mirë gjendjen e tij shëndetësore.
“Si fillim dua ti kërkoj falje Onos nëse mërzitet që po e ndaj me ju këtë. Në shtëpinë tonë kishte ardhur një nga hallat dhe unë isha në dhomën time me një nga kushërirat. Dëgjoj shumë ulërima dhe atë natë luante Shqipëria, nuk e di me kë, një ndeshje shumë e rëndësishme. Mendova se ka bërë gol dhe ishin brohorima gëzimi. Kur dal nga dhoma shikoj që Ono po kalonte një krizë epileptike dhe ne ishim vetëm, mami u tremb shumë dhe askush nuk dinte ta ndihmonte se nuk e kishim përjetuar kurrë, nuk e dinim ça bëhej në këtë rast. Më shkoi mendja për të dalë nga shtëpia jonë dhe për të shkuar te dera ngjitur e komshinjve.
Mbaj mend që çdo natë para se të flija, kur gjithë kishin rënë në gjumë, unë e kisha shumë të vështirë të flija sepse krizat i ndodhnin vetëm natën dhe ngaqë isha e vetmja që e dëgjoja kur i niste kriza, doja të isha koshiente që të reagoja edhe më shpejt.
Ulesha në këtë pozicion dhe lutesha në mënyrën time për të gjetur një zgjidhje, një shpëtim. Ono vetëm i përsëritej kjo. Pas shumë kohësh, gjyshërit e mi që jetojnë në Amerikë dhe janë dy njerëz fantastik dhe të nderuar, e marrin Onon për ndihmë mjekësore dhe për të kuptuar çfarë po kalonte. Aty kam patur një tjetër thyerje shumë të madhe se nuk isha mësuar të jetoja pa prezencën e tij në shtëpi. Për dy vite Ono nuk ka qenë në shtëpi, ka jetuar në Amerikë.”, rrëfeu Selin.









