spot_img
spot_img
Tuesday, February 3, 2026
spot_img
spot_img

Gani Geci: Kuvendi i LDK-së e rrëzoi përfundimisht projektin politik të Isa Mustafës

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka reaguar pas mbajtjes së Kuvendit të fundit të partisë, duke deklaruar se aty ka marrë fund përfundimisht ndikimi politik i ish-kryetarit Isa Mustafa brenda LDK-së.


Sipas Gecit, narrativa se kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte “njeri i Isa Mustafës” ka qenë propagandë e qëllimshme, e ndërtuar për të krijuar përçarje brenda partisë. Ai theksoi se votimi i fshehtë në Kuvend tregoi qartë se baza e LDK-së nuk i ka mbështetur këto skenarë dhe ka refuzuar çdo tentativë për nënshtrim politik.

Geci vlerëson se Kuvendi i fundit ka shërbyer si një lloj referendumi të brendshëm kundër ndikimeve të vjetra, duke shtuar se LDK-ja ka dëshmuar se ende posedon instinkt për vetëmbrojtje politike.


Në reagimin e tij, ai ka ftuar anëtarësinë e partisë që t’i rikthehet programit të djathtë rugovian dhe ka propozuar që në Kuvendin e ardhshëm të LDK-së, Isa Mustafës t’i hiqet titulli i kryetarit të nderit.

Postimi i plotë:

Dështimi i projektit të Isa Mustafës në LDK

Pas Kuvendit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u rrëzua përfundimisht një nga narracionet më të përhapura në pesë vitet e fundit: se Lumir Abdixhiku ishte “njeri i Isa Mustafës”. Ky pretendim, i ushqyer dhe i ricikluar nga qarqe të caktuara politike e mediatike, sot po del qartë se ishte propagandë e stilit SHIK – një konstrukt artificial i ndërtuar për ta dobësuar LDK-në dhe për ta shtyrë atë drejt margjinave politike.

Është e lehtë për t’u kuptuar se cilët gazetarë dhe cilat media i jepnin zjarr forcimit të njerëzve të Isa Mustafës; kjo tashmë kuptohet qartë nga të gjithë.

Në fakt, projekti i Isa Mustafës dhe rrethit të tij, ku bënin pjesë Agim Veliu dhe disa figura të tjera, kishte për synim ta eliminonte politikisht Lumir Abdixhikun. Ky projekt nuk ishte i ri në metodë.

Ai ndjek të njëjtën logjikë me skemat e mëhershme të SHIK-ut: kundër Nexhat Dacit dhe vëllezërve Geci në vitin 2006, e më pas edhe kundër vetë Fatmir Sejdiut, i cili ra në grackën e SHIK-ut në Kuvendin VI, e më vonë u ushqye edhe kundër Donika Gërvallës dhe pastaj kundër Vjosa Osmanit.

Ndryshonin emrat, por mekanizmi mbetej i njëjtë: delegjitimim, përçarje dhe dorëzim gradual i një pjese të LDK-së te SHIK-u dhe i pjesës tjetër te pjella e SHIK-ut me emrin LVV.

Kuvendi i fundit i LDK-së e nxori këtë projekt jashtë loje.

Përmes votimit të fshehtë, delegatët refuzuan qartë skenarin e atyre që synonin ta shndërronin LDK-në në një shtojcë politike të PDK-së dhe në një instrument të ndikimit të SHIK-ut. Ky ishte një akt politik i vetëdijshëm dhe një mesazh i fortë se baza e LDK-së nuk pranon më projekte të imponuara nga prapaskenat.

Ftoj njerëzit nacionalistë kosovarë të largohen nga politikat e majta dhe të kthehen te programi i djathtë i LDK-së, si vazhdimësi e rrugës së djathtë të Presidentit Rugova.

Mos u dorëzoni, o ju të djathtë: kryetarët shkojnë e vijnë, por LDK-ja e Presidentit Rugova do të mbetet përgjithmonë.

Mjafton t’i dëgjojmë opinionet e Ramabajes si përfaqësues i LVV-së dhe të Haradinajt si përfaqësues i PDK-së, të ulur në të njëjtën anë të studios televizive, ndërsa Besa Gaxherri në anën tjetër, për të kuptuar se si me ngulm majtistët kërkojnë të shtrembërohet historia dhe që LDK-ja të shuhet e të mbetet vetëm histori e së kaluarës.

Narracionin e Ramabajes e çojnë përpara “guximtarët” e rremë, ndërsa narracionin e Haradinajt e çojnë përpara njerëzit e Isa Mustafës.

Rezultati i Kuvendit dëshmon se LDK-ja, pavarësisht plagëve të thella nga e kaluara, ende ka instinkt vetëmbrojtës.

Lumir Abdixhiku iu tha: “Bëjeni me vota të fshehta, bëjeni pyetjen si të keni qejf ju, dhe unë do ta pranoj rezultatin.” Delegatët zgjodhën autonominë politike dhe refuzuan rikthimin në ciklin e vjetër të nënshtrimit dhe sabotimit të brendshëm. Në këtë kuptim, Kuvendi nuk ishte thjesht një proces statutor, por një referendum i brendshëm kundër një projekti që kishte dështuar qysh në nisje.

Narracionet bien, por faktet mbesin. Dhe fakti kryesor sot është ky: projekti i Isa Mustafës në LDK ka marrë fund. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse LDK-ja do ta shfrytëzojë këtë moment për rindërtim real politik, apo nëse do të lejojë që versionet e reja të të njëjtit projekt të rikthehen nën emra të tjerë.

Propozoj që Kuvendi i ardhshëm i LDK-së, me vota, t’ia marrë titullin kryetar nderi Isa Mustafës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit