Koci thotë se do të nisë organizimin vetëm nëse postimi i tij arrin 50 mijë reagime nga qytetarët.
Avokati Arianit Koci ka shprehur gatishmëri për organizimin e një proteste gjithëpopullore, pas kërkesës së KESCO-s për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Përmes një postimi në Facebook, Koci bëri të ditur se ka pranuar shumë mesazhe nga qytetarë që janë të gatshëm t’i bashkohen një proteste të organizuar prej tij, duke e cilësuar gjendjen aktuale si të padurueshme.
Ai kritikoi si pozitën ashtu edhe opozitën, duke thënë se po sillen njësoj dhe janë larg problemeve reale të qytetarëve. Sipas tij, në kushtet e varfërisë, rritja e çmimit të rrymës është e papranueshme.
“Kur të vijë momenti, do ta organizoj një PROTESTË me kërkesa të qarta, me afat të saktë dhe me përgjegjësi të përcaktuar. Nëse kërkesat nuk përmbushen brenda afatit, reagimi qytetar do të vazhdojë i organizuar dhe brenda ligjit”, ka shkruar Koci.
Ai theksoi se për të testuar seriozitetin dhe mbështetjen qytetare, ka vendosur një kusht: nëse postimi i tij merr 50 mijë reagime, do të nisë menjëherë me organizimin e protestës dhe shpalljen e kërkesave. Në të kundërtën, tha se do të presin derisa të krijohet mbështetje e mjaftueshme.








