Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar ndaj Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, duke vlerësuar se ai është në shpërputhje me Kushtetutën dhe përmban gabime thelbësore në interpretimin dhe zbatimin e normave përkatëse.
Basha ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për të interpretuar Rregulloren e Kuvendit, pasi sipas nenit 16, paragrafi 4 të saj, interpretimi përfundimtar gjatë seancës plenare i takon Kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka interpretuar “frymën e Rregullores”, gjë që tejkalon kompetencat e saj.
Duke iu referuar zgjedhjes së Nenad Rashiq në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit, Basha ka theksuar se vetë Gjykata pranon se Rashiq nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, çka sipas tij përbën refuzim apo mospropozim nga ana e tyre.
Ai ka sqaruar se si Kryetar i Kuvendit ka kërkuar tri herë radhazi që të propozohej kandidati i mbetur, por kjo është refuzuar nga përfaqësuesit e komunitetit serb, të cilët sipas tij kanë kërkuar tejkalimin e deputetit të dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, gjë që do të përbënte diskriminim dhe shkelje kushtetuese.
Pas këtij mospropozimi, Basha ka bërë të ditur se ka aktivizuar nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores së Kuvendit, i cili parasheh procedurën e shortit në rast të mospropozimit të kandidatëve. Meqenëse kishte vetëm një kandidat, procedura e shortit u konsiderua e panevojshme dhe u vazhdua me votim.
Sipas Bashës, procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ndërsa votimi për Rašić ka rezultuar i suksesshëm me 71 vota “për”.
“Në këtë rast, zgjedhja e Nenad Rashiq për Nënkryetar të Kuvendit ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga përfaqësuesit e komunitetit joshumicë serb. Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza”, ka deklaruar Basha.
Në fund, ai ka theksuar se vendimi i Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit.










