Policia thotë se një nga të arrestuarit posedonte dokument që dëshmon përkatësinë në VBA, ndërsa provat janë verifikuar edhe nga laboratori i FBI-së.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).
Sipas Hoxhës, njëri nga tre personat e arrestuar në lidhje me këtë rast është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.
“Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, ka thënë Hoxha.
Ai theksoi se nga vendi i ngjarjes janë mbledhur prova të shumta materiale, të cilat janë ekzaminuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe sipas tij, ato tregojnë se të dyshuarit, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.
“Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas janë dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, deklaroi ai.
Hoxha foli gjithashtu edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht në rastet e vjedhjeve dhe grabitjeve.








