Përballë kërcënimeve të reja nga Shtetet e Bashkuara, Irani ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar se është gati për një kundërpërgjigje “si asnjëherë më parë” në rast të një sulmi ushtarak amerikan.
Reagimi vjen pas deklaratave të ish-presidentit Donald Trump, i cili la të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake ndaj Teheranit, duke e kushtëzuar atë me ecurinë e negociatave mbi programin bërthamor iranian.
Përmes një postimi zyrtar në rrjetin X, Misioni i Iranit në OKB u shpreh i gatshëm për dialog, por në kushte të qarta: “Irani qëndron i hapur ndaj dialogut mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe interesave reciproke, por nëse shtyhet, do të mbrohet dhe do të përgjigjet si asnjëherë më parë”.
Në të njëjtin postim, Irani kujton me ironi dhe paralajmërim luftërat e mëparshme të SHBA-së në Afganistan dhe Irak, duke nënvizuar se “herën e fundit që SHBA ra në luftë në Lindjen e Mesme, humbi mbi 7 mijë jetë ushtarësh dhe shpenzoi më shumë se 7 trilionë dollarë për një rezultat katastrofik”.
Ky ton i ashpër nga Teherani vjen në një moment kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm, pas dërgimit të forcave amerikane në afërsi të Gjirit Persik dhe rritjes së retorikës kërcënuese nga Uashingtoni. Megjithatë, Irani lë të hapur dritaren e diplomacisë, por e kushtëzon atë me barazi dhe respekt, duke refuzuar çdo formë imponimi apo presioni ushtarak.
Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa shtetet e rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Turqinë, po përpiqen të ndërmjetësojnë në prapaskenë për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes dy fuqive.










