Kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës kishte dhënë premtime të shumta, një prej të cilave ishte rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës nga forcat serbe.
“Xhamia e Ibrit sivjet i bën 250 vjet që nga ndërtimi, por ajo u dogj më 2 maj 1999. Prandaj, në mandatin tonë të ardhshëm do ta rindërtojmë këtë xhami. Ajo është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore, pa dallim, që janë dëmtuar, do t’i rinovojmë dhe rindërtojmë”, kishte thënë Kurti në hapjen e fushatës në Mitrovicë të Jugut.
Megjithatë, pak muaj pas këtij premtimi, Vetëvendosje nuk ka mbajtur fjalët e dhëna.
Fillimisht, rindërtimi i Xhamisë së Ibrit nuk ishte përfshirë fare në buxhetin e këtij viti. Në leximin e dytë të buxhetit, deputeti i PDK-së, Eman Rrahamani, propozoi një amandament për ta përfshirë këtë projekt.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahu amandamentin.
Në votim morën pjesë 21 deputetë që votuan pro, 51 kundër dhe 6 abstenuan.










