Një përplasje fizike mes dy kirurgëve ka ndodhur në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas raportimit të mëhershëm incidenti ka ndodhur pranë ashensorit të klinikës, ku janë përplasur fizikisht mjekët me inicialet B.K. dhe Xh.A.. Burime kanë bërë të ditur se konflikti kishte nisur disa ditë më parë, gjatë një mbledhjeje të kolegjiumit të kirurgëve, fillimisht si përplasje verbale, për të eskaluar më pas në përleshje fizike.
Për rastin ishte njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila kishte dalë në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, sipas informacioneve të siguruara nga Demokracia.com, dyshohet se në këtë incident është përfshirë Baton Kelmendi, i cili konsiderohet person i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Mjeku tjetër i përfshirë në rast është Xhevdet Ademi.

Po sipas këtyre informacioneve, Baton Kelmendi vite më parë kishte adresuar ankesa dhe komunikime politike në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, çka e ka bërë përfshirjen e tij objekt interesimi publik.
Rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga QKUK-ja apo nga institucionet e drejtësisë.








