Kreshnik Gashi, gazetar i njohur, ka folur në lidhje me aksionin e sotëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ku u ndaluan 109 persona nën dyshimin për manipulime me vota në zgjedhjet e 28 dhjetor.
Në emisionin “Kallxo Përnime”, Gashi ka treguar se janë identifikuar personat e përfshirë në këtë proces.
“Kemi informacione që janë sekuestruar telefonët dhe pajisjet e komunikimit të cilat ata i kanë përdorur dhe tash sigurisht që me urdhër të gjykatës të njëjtit do dërgohen në ekzaminime për me u kuptu dhe me u nxjerrë bisedat të cilat ata kanë mundur me i pasë me persona jashtë jashtë komisionit, po ashtu edhe jashtë qendrës së numërimit”- tha Gashi, duke shtuar se njerëz të arrestuar janë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë e aktivistë të partive politike.
Tutje, Gashi ka vlerësuar se ky manipulim nuk është bërë vetëm nga një person, por ka pasur organizim grupor në tavolinat në të cilat janë numëruar votat në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Qëllimi i manipulimit në zgjedhje është me i kriju vetes një beneficion ose një personi tjetër, pra në momentin kur ke shtuar votat e dikujt gjithmonë ke me marrë një beneficion prej atij që ia ke shtu votën”- ka thënë Gashi.










