Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit duket se po afrohet. Për të mbështetur protestuesit, Trump mund të shënjestrojë Gardën Revolucionare, por ai duhet të peshojë me kujdes pasojat. Fillimisht, presidenti amerikan premtoi se protestuesit iranianë do të merrnin ndihmë nga SHBA, edhe pse më vonë deklaroi se vrasjet ishin ndërprerë.
Tani ai gjendet përballë dilemës: një sulm që disa media e përshkruajnë si çështje orësh, por që mund të sjellë pasoja të rënda.
Gjenerali italian Xhorxho Batisti, ish-komandant i Korpusit të Reagimit të Shpejtë të NATO-s dhe ish-shef i shtabit të misionit ISAF në Afganistan, vëren se Trump ka shkuar shumë larg me fjalët e tij për të mos ndërmarrë veprime konkrete.
Sipas tij në këtë pikë, mënyra më e mirë për të mbështetur kryengritjen do të ishte goditja e qendrave të komandës së Pasdaranit dhe forcave të tjera mbi të cilat mbështetet regjimi. Por një sulm i tillë mund të provokonte menjëherë kundërpërgjigje iraniane me raketa që do të synonin bazat amerikane në Gjirin Persik dhe vendet ku ato strehohen.
Dhe pa dyshim, në to do të përfshihej edhe Izraeli. Pra ka shumë të panjohura që presidenti amerikan duhet t’i marrë në konsideratë para se të veprojë.
Trump po u premton ndihmë protestuesve në Iran dhe thotë se po vlerëson se si të ndërhyjë. Çfarë duhet të marrë në konsideratë përpara se të veprojë?
Duhet kujtuar se Irani nuk është Venezuela. Në rastin e Maduros, amerikanët kishin vendosur prej muajsh një prani të konsiderueshme ushtarake: ajrore, tokësore dhe detare. Ndërsa në Iran situata është krejtësisht ndryshe. Nuk ka forca amerikane të dislokuara për një inkursion të menjëhershëm.
Teherani, ku ndodhen Khamenei dhe presidenti iranian, nuk është aq i arritshëm sa Karakasi. Për më tepër, udhëheqësit iranianë janë të strehuar në vende të fortifikuara, të vështira për t’u goditur me helikopterë.
Nëse po mendoni për një përsëritje të çështjes Maduro, a është më mirë të hiqet dorë?
Trump ka shkuar shumë larg në deklaratat e tij. Ai ka premtuar se do t’i ndihmojë protestuesit dhe se do të mbajë shënim emrat e atyre që shtypin demonstratat, duke paralajmëruar se do ta paguajnë shtrenjtë. Kjo e bën të pamjaftueshme kufizimin vetëm tek sanksionet apo tarifat tregtare. Ai duhet të ndërmarrë diçka më konkrete.
A duhet të ndërhyjë ushtarakisht?
Protestuesit mbështeten nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) me qendër në Bruksel. Nëse ndodh, ndërhyrja e SHBA-së duhet të jetë e dukshme. Pra të ketët jo vetëm sulme kibernetike. Aktualisht, SHBA-ja nuk ka njësi luftuese detare me aeroplanmbajtëse pranë Iranit.
Njëra ndodhet në Karaibe, dy në Japoni dhe një tjetër në Paqësor, të cilave do t’u duheshin rreth 10 ditë për të mbërritur në brigjet e Iranit. Për këtë arsye, opsioni më i shpejtë do të ishte goditja e objektivave të përzgjedhura, qendrat e kontrollit, kazermat e forcave të sigurisë, Gardën Revolucionare dhe Basij, për të dobësuar aftësinë e regjimit për të shtypur protestat.
Cilat mund të jenë pasojat e një ndërhyrjeje ushtarake?
Arabia Saudite, Katari dhe vendet e tjera të Gjirit Persik, kanë ndërhyrë diplomatikisht për të shmangur përshkallëzimin, nga frika e hakmarrjes iraniane në territoret e tyre, ku ndodhen baza amerikane. Një e pesta e naftës botërore kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila mund të bllokohet nga Teherani.
Qeveria amerikane u ka kërkuar qytetarëve të saj të largohen menjëherë, duke u evakuuar drejt Armenisë ose Turqisë, ku nuk kërkohen viza. Po ashtu, ekziston rreziku i marrjes peng nga regjimi iranian.
A nuk do të rrezikonte një sulm amerikan ta unifikonte regjimin ose ta shtynte Iranin drejt një reagimi, ndërkohë që ky i fundit është i zënë duke demonstruar kundër tij?
Populli iranian është shumë nacionalist. Një sulm i huaj mund ta dobësonte frymën e protestave. Për më tepër, përdorimi i raketave “Tomahawk”, ndoshta të lëshuara nga nëndetëset, mund të shkaktonte viktima civile.
Një alternativë më e kujdesshme do të ishte mbështetja e pakicave – kurdëve, baluçëve dhe azerëve – të cilët tashmë kanë njoftuar se kanë pushtuar disa kazerma të Gardës Revolucionare. Megjithatë, ekziston rreziku që shembja e regjimit të çojë në luftë civile.
A duhet të jetë e menjëhershme ndërhyrja amerikane?
Amerikanët u kanë kërkuar bashkëqytetarëve të tyre të largohen menjëherë, edhe pse duke pasur parasysh situatën, nuk do të jetë e lehtë për ta që të kalojnë kufirin. Edhe qytetarët e vendeve të tjera përballen me të njëjtin rrezik. Përpara se të ndërhyjë, Trump duhet të marrë në konsideratë të gjitha këto rreziqe, duke e ditur se do të ketë edhe pasoja anësore.
Po izraelitët?
Izraeli është përgatitur për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve, siç ndodhi gjatë Luftës 12-ditore. Ata e dinë se në rastin e një sulmi amerikan, do të jenë të parët që do të përballen me hakmarrjen iraniane. Megjithatë, nëse ndërhyn SHBA-ja, është e pritshme që edhe Tel Avivi të marrë pjesë në operacionet ushtarake./ Përshtatur nga “Il Sussidiario”








