Presidenti amerikan, Donald Trump ka vënë në cak disa shtete të hemisferës perëndimore përtej Venezuelës – nga Meksika me kartelet e saj të drogës e deri te Kuba në krizë të thellë.
Mirëpo një shtet me prirje dikatoriale i ka ikur radarit të Donald Trumpit: Nikaragua.
Ky është një shtet që nuk drejtohet nga një, por dy diktatorë. Është vend me opozitën e dëbuar, e burgosur dhe vetëm një fjalë i shkon për shtati: “shtet totalitar”. Vend që administrata e Trumpit e cilësoi si “trojkën e tiranisë” bashkë me Kubën dhe Venezuelën.
Megjithatë, Nikaragua nuk është zënë në gojë nga administrata e Trumpit në mandatin e dytë.
Kjo mund të ndryshojë nga momenti në moment, por aktualisht Nikaragua ndodhet në një pozitë të rehatshme në rajon. Kjo ka shtruar pyetjet: çfarë po bën siç duhet regjimi në Nikaragua që ka shmangur tërbimin e Trumpit? Çfarë ka ky shtet që nuk e kanë të tjerat? Ose çfarë nuk ka?
Zyrtarët e qeverisë në Nikaragua kanë treguar se regjimi po bën lëvizje të mençura në betejën kundër trafikimit të drogës dhe nuk ka shqetësime me migrantët drejt SHBA-së.
“Mësimi nga Nikaragua është: Mos u shqetëso shumë, mos e turpëro Washingtonin dhe mos u bë çështje politike e rajonit”, thotë Juan Gonzales, ish-këshilltar i presidentit Joe Biden për Amerikën Latine.
“Për një administratë që nuk shqetësohet për demokracinë apo të drejtat e njeriut, është mbijetesë strategjike për autoritarët”, thotë ai.
Trumpi është i paqëndrueshëm në ato që thotë dhe së fundmi është i përqendruar në zhvillimet në Iran.
“Fakti që Nikaragua nuk është në qendër të bisedimeve nuk do të thotë se ky shtet nuk është i rëndësishëm. Kjo do të thotë se interesat gjeopolitike të SHBA-së tani janë diku tjetër”, thotë Felix Maradiaga, politikan nga Nikaragua, por në ekzil.
Nikaragua drejtohet nga Daniel Ortega dhe Rosario Murillo, burrë e grua që e përdorin termin “çifti i pushtetshëm”. Ata tani janë bashkëpresidentë të shtetit me 7 milionë banorë.
Gjatë viteve ata kanë mashtruar në zgjedhje, kanë forcuar kontrollin e qeverisë dhe kanë shtypur opozitën. Me shumë gjasë janë duke bërë gati fëmijët që të jenë pasardhës të tyre.
Ndryshe prej Venezuelës, Nikaragua nuk është burim i madh i naftës, burim natyror që i pëlqen Trumpit kryesisht. Ka ari, por jo të mjaftueshëm ose minerale të tjera që kanë rëndësi. Ky shtet nuk është burim i migrantëve që ia mësyjnë SHBA-së.








