Presidentja thotë se do të mbrojë gjithmonë pastërtinë e luftës çlirimtare dhe refuzon çdo ekuivalencë morale me krimet serbe.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar arsyet pse nuk ka bërë nderime dhe nuk ka vendosur lule te pllakat përkujtimore të serbëve të vrarë, duke theksuar se nuk bën homazhe në vende ku, sipas saj, njolloset Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një intervistë, Osmani deklaroi se do ta mbrojë gjithmonë pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe se nuk do të lejojë krijimin e barazisë morale mes agresorit dhe viktimës.
“Si presidente e Republikës, e them me krenari që unë asnjë moment nuk e pranoj nga askush në këtë botë që të krijojë ekuivalencë morale dhe barazi mes asaj se çfarë ka bërë Serbia dhe regjimi i Millosheviqit kundër njerëzve të pafajshëm në Kosovë dhe çfarë mund të ketë ndodhur në një rast individual,” u shpreh Osmani.
Ajo riafirmoi qëndrimin e saj të njohur për luftën çlirimtare, duke theksuar se beson fuqishëm në drejtësinë e saj.
“Besoj fuqishëm në luftën e drejtë që e ka bërë UÇK-ja dhe këtë do ta mbroj deri në fund,” tha presidentja.
Deklaratat e Osmanit vijnë në kuadër të debatit publik mbi kujtesën historike dhe mënyrën e trajtimit të viktimave të luftës në Kosovë.









