Gripi po përhapet me shpejtësi këtë periudhë.
Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, (CDC), më shumë se gjysma e insititucioneve shëndetësore në SHBA kanë raportuar aktivitet të lartë të gripit dhe numri i rasteve pritet të rritet edhe më tej, sidomos te fëmijët.
Gripi mund të prekë këdo dhe të shkaktojë komplikime serioze, edhe te persona të shëndetshëm, ka shkruar Huffington Post.
Ani pse larja e duarve, maskat dhe vaksina ndihmojnë, virusi përhapet lehtë.
Cilat janë shenjat e para?
Simptomat e gripit zakonisht fillojnë papritur. Temperatura e lartë, dhimbj e kokës, dhimbja e trupit dhe ethet janë ndër shenjat më të zakonshme.
Mund të shfaqet edhe kolla, dhimbja e fytit dhe rrjedhja e hundës.
Te fëmijët, gripi shpesh shoqërohet me shqetësime nga stomaku, si dhimbje barku, të përziera, të vjella ose mungesë oreksi.
Ndryshe nga ftohja, gripi “godet” shpejt dhe fort.
Shumë njerëz mund të tregojnë saktësisht momentin kur kanë filluar simptomat, të cilat janë zakonisht më të rënda se ato të një ftohjeje.
Çfarë duhet të bëni nëse dyshoni për grip
Nëse vëreni shenja të gripit, kontaktoni mjekun sa më shpejt. Disa ilaçe funksionojnë më mirë në 48 orët e para, sidomos te personat me rrezik të shtuar.
Nëse temperatura bie dhe më pas kthehet sërish, ose nëse ndiheni të dehidruar, kërkoni ndihmë mjekësore.
Nëse sëmureni, qëndroni në shtëpi për të mos e përhapur virusin. Pini shumë lëngje dhe përdorni ilaçe për uljen e temperaturës dhe dhimbjeve.
Për fëmijët mbi një vjeç, mjalti mund të ndihmojë në qetësimin e kollës.
Vaksina kundër gripit mbetet një nga mënyrat më të mira për të ulur rrezikun e sëmundjes së rëndë dhe shtrimit në spital.









