Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos presin formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
“Pas ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme të lidhura me BE-në”, thuhet në krye të një deklarate për media.
Deklarata thotë se “Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje” dhe se “procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Bashkimi Evropian ka dërguar një Mision Ekspertësh për Zgjedhjet (EEM), i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore”.
“I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të konstituohet, të ratifikojë marrëveshjet e lidhura me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ai, për të mirën e popullit të saj”, thuhet në deklaratë.
Tutje, kërkohet edhe normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe zbatimi i obligimeve nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të mbetet e vetmja rrugë për të dyja palët për të arritur përparim në rrugën e tyre evropiane. Presim që të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa të mëtejshme ose parakushte. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë atë”.
Në fund të deklaratës, përmendet edhe heqja e masave për vendin.
“Përkujtojmë se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë liruar nga masat pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale. Po ashtu, synojmë të lirojm nga masat edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm”.








