Republika e Kosovës është paditur në arbitrazh ndërkombëtar nga dy biznesmenë, Rahman Haradini dhe Shaban Konxheli, të cilët kërkojnë kompensim financiar për dëme të pretenduara si pasojë e shpronësimit të pronave të tyre.
Edhe pse në dokumentet zyrtare nuk përmendet shprehimisht emërtimi “Afera Badovci”, Demokracia.com merr vesh se padia ndërlidhet pikërisht me këtë rast, një çështje që ka qenë në qendër të debatit publik dhe hetimeve institucionale, për shkak të këmbimit të pronave ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe dy biznesmenëve në zonën e mbrojtur të Badovcit.
Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar një procedurë të veçantë prokurimi për përfaqësimin e shtetit të Kosovës në arbitrazh, duke mos aplikuar procedurë të hapur, por procedurë me negocim.
Tenderi mban titullin: “Përzgjedhja e një firme ligjore për shërbimet e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në Arbitrazh”, dhe është realizuar përmes negociimit, duke u arsyetuar me natyrën specifike dhe urgjente të rastit.

Sipas dosjes së tenderit, kompania e përzgjedhur është DER Disputes AB, një firmë ligjore e specializuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe arbitrazhin ndërkombëtar, me seli në Stokholm të Suedisë. Kjo kompani është në pronësi të juristit Ylli Dautaj, me prejardhje nga Kosova.
Kontrata, e cila pritet të nënshkruhet sot, ka vlerë 840 mijë euro, ndërsa afati i saj është 36 muaj. Kjo shumë mbulon shërbimet e përfaqësimit të Kosovës në një procedurë arbitrazhi që pritet të jetë e ndërlikuar dhe me rrezik potencial financiar për buxhetin e shtetit.
Çfarë thonë termat e referencës
Sipas Termave të Referencës të siguruara, Qeveria e Kosovës tashmë e ka pranuar zyrtarisht se është palë në një procedurë arbitrazhi sipas rregullave UNCITRAL, e iniciuar nga Haradini dhe Konxheli, me pretendimin për kompensim dëmi për shkak të shpronësimit.
Në dokument thuhet se Avokatura Shtetërore ka kërkuar inicimin e procedurave për emërimin e një përfaqësuesi ligjor ndërkombëtar, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe rrezikut financiar që ajo paraqet për Republikën e Kosovës.
Firma e kontraktuar obligohet që:
- të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës,
- të bashkëpunojë ngushtë me Avokaturën Shtetërore dhe Ministrinë e Drejtësisë,
- të dorëzojë raporte mujore për rrjedhën e procesit,
- dhe të angazhojë kapacitetet e saj profesionale për evitimin e pasojave procedurale dhe financiare për shtetin.
Thelbi i rastit lidhet me vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të datës 21 dhjetor 2023, për këmbimin e pronës komunale në zonën “Prishtina e Re” me pronat private të dy biznesmenëve në zonën e mbrojtur të Badovcit.
Ky vendim ishte propozua nga kryetari i Komunës, Përparim Rama, por nuk do të mund të kalonte pa pjesëmarrjen e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, ndonëse në opozitë në nivel lokal, qëndruan në sallë dhe siguruan kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Asamblistët e PDK-së munguan në seancë, ndërsa pa praninë e Vetëvendosjes, Kuvendi nuk do të kishte kuorum për të votuar këtë pikë të rendit të ditës. Kjo situatë u konsiderua nga opozita dhe nga një pjesë e opinionit publik si ndihmë direkte politike për kalimin e një vendimi me pasoja të rënda financiare dhe ligjore.
Madje, edhe brenda Vetëvendosjes kishte kundërshtime. Asamblistja Nora Kelmendi paralajmëroi publikisht gjatë seancës se çështja ishte për Prokurori, duke e cilësuar këmbimin si të pabarabartë dhe të dyshimtë.
Partia Demokratike e Kosovës ishte tërhequr nga koalicioni pikërisht për shkak të kësaj çështjeje, duke e cilësuar Aferën Badovci si një nga skandalet më të mëdha që ka përfshirë ndonjëherë Komunën e Prishtinës, ndërsa për shkak të së njëjtës aferë nga grupi i asamblistëve të Vetëvendosjes ishte larguar edhe asamblisti Berat Lahu, i cili e akuzoi publikisht partinë e tij për përfshirje në këtë rast.
Pas reagimeve publike, presionit mediatik dhe ngritjes së dyshimeve për konflikt interesi për shkak të faktit se Rama kishte qenë më herët arkitekt i angazhuar nga pronarët e tokës, Kuvendi Komunal, me iniciativë të LVV-së dhe PDK-së, e anuloi vendimin për këmbimin e pronave.
Por, anulimi politik i një vendimi administrativ nuk e mbylli çështjen juridikisht.
Biznesmenët, duke u thirrur në vendime paraprake të ministrive dhe në faktin se toka e tyre ishte shpallur zonë e mbrojtur pasi kishte pasur kushte ndërtimi, kanë iniciuar procedurë arbitrazhi ndërkombëtar, duke pretenduar dëm financiar dhe shkelje të të drejtës së pronës.








