Autoriteti amerikan i Barnave dhe Ushqimit (FDA) ka miratuar versionin në formë pilule të ilaçit për humbje peshe Wegovy, duke shënuar një hap të rëndësishëm në trajtimin e obezitetit.
Lajmi u bë i ditur nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk, prodhuesja e këtij ilaçi, e cila e cilësoi pilulën si një alternativë më të përshtatshme ndaj injeksionit të deritanishëm,
Sipas Novo Nordisk, pilula Wegovy merret një herë në ditë dhe ofron të njëjtin efekt në humbjen e peshës si forma injektuese. Gjatë provave klinike, pacientët që përdorën pilulën arritën një humbje mesatare peshe prej 16.6%, ndërsa rreth një e treta e 1300 pjesëmarrësve humbën 20% ose më shumë të peshës trupore.

Wegovy ishte miratuar më herët nga FDA posaçërisht për humbje peshe, ndryshe nga ilaçe të ngjashme si Ozempic, i cili fillimisht u aprovua për trajtimin e diabetit të tipit 2, por më pas u përdor gjerësisht edhe për rënie në peshë.
Pilula e re pritet të hidhet në tregun amerikan në fillim të janarit 2026. Sipas drejtuesve të kompanisë, kjo risi mund të rrisë ndjeshëm shitjet e Novo Nordisk, e cila gjatë vitit të fundit ka përballuar konkurrencë të fortë nga kompani rivale si Eli Lilly.
Pas njoftimit, aksionet e Novo Nordisk shënuan rritje prej rreth 10% në tregjet financiare të Nju Jorkut.








