Kandidati për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurti gjatë një aktiviteti për fushatën zgjedhore, premtoi se nëse rizgjidhet do të rrisë deri në 100 për qind shpenzimet për mbrojtjen. Kurti shtoi se Kosova nuk ka nevojë për të blerë shumë tanke pasi ka sistemin e mbrojtjes “Javelin” e cila shkatërron tanket serbe.
“Sa i përket ushtrisë e kemi gjetur me më pak se 2300 ushtarë. Tani i ka afro 5000 ushtarë dhe njëkohësisht e kemi hequr tavanin për 5000 ushtarë. Mund të bëhen edhe më shumë. Mosha e ushtarëve ka qenë 23 vjeç. E kemi ngritur në 25 vjeç. I kemi rreth 300 gra e vajza në ushtri. Jemi të interesuar që në fund të mandatit të ardhshëm të bëhen 1000 gra e vajza në ushtrinë e Kosovës:, tha Kurti, përcjell A2 CNN.
“Por gjithashtu katërfishim kemi pasur të trajnimeve jashtë vendit, trefishim të buxhetit dhe më shumë se 100-fishim të shpenzimeve për armatim edhe municion. Ne nuk e konsiderojmë që për ushtrinë tonë është e nevojshme të blejmë tanke. Neve nuk na duhen tanket. Po a e dini çka? Nuk i duhen as Serbisë më. Se me sistemin tonë antitank “Javelin”, i bëhen të padobishëm e të papërdorshëm.








