spot_img
spot_img
Wednesday, February 4, 2026
spot_img
spot_img

Tajvani “dorëzohet” përballë Kinës, nuk ka ushtarë të luftojë!

Në Tajvan, të gjithë qytetarët meshkuj të moshës 18 deri në 36 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak për të paktën një vit. Për dekada me radhë, koha e shërbimit ishte ulur nga dy vjet në vetëm katër muaj, me synimin për të ndërtuar një ushtri të përbërë nga profesionistë. Por në vitin 2024, presidentja Tsai Ing-wen vendosi ta rikthejë shërbimin 12-mujor për shkak të kërcënimeve gjithnjë e më të shpeshta nga Kina kontinentale.

Megjithatë, qeveria e re e presidentit William Lai po përballet me një fenomen shqetësues: qindra qytetarë po shmangin rekrutimin me justifikime të dyshimta shëndetësore. Edhe pse autoritetet tajvaneze e konsiderojnë kërcënimin e luftës serioz, jo të gjithë qytetarët duket se janë të gatshëm të marrin armët.

Obeziteti dhe “sëmundjet e porositura”: Formula për të shmangur shërbimin

Sipas Ministrisë së Brendshme të Tajvanit, në dhjetë vitet e fundit rreth 30% e përjashtimeve nga shërbimi ushtarak janë justifikuar me mbipeshë. Pasojnë arsyetime si nivel i ulët intelekti, probleme ortopedike (si këmbët e sheshta), rrahje të parregullta të zemrës dhe çrregullime mendore.

Çdo vit, rreth 17 mijë të rinj – afërsisht 16% e të gjithë meshkujve të thirrur – përjashtohen nga shërbimi, një shifër aspak e vogël për një shtet ishullor me 23 milionë banorë që po përpiqet të forcojë mbrojtjen kombëtare.

Skandali i yjeve të njohur dhe alarmi për falsifikimet

Problemi mori përmasa publike këtë vjeshtë, kur autoritetet zbuluan se këngëtarë dhe aktorë të njohur kishin shmangur rekrutimin përmes dokumenteve mjekësore të falsifikuara. Lista e përpiluar nga Ministria e Mbrojtjes përfshinte emra si aktorët Hsiu Chieh Kai dhe Chen Bo Lin, ish-anëtari i grupit Lollipop@F LilJay dhe anëtari i Energy Chang Shu Wei. Të gjithë u arrestuan dhe u morën në pyetje, më pas u liruan me kusht pasi pranuan se kishin paguar për të marrë diagnoza të rreme mjekësore.

Ministri i Brendshëm Liu Shyh Fang pranoi publikisht se hipertensioni është ndër sëmundjet më të përdorura në mënyrë të rreme për të shmangur shërbimin. Në listën e justifikimeve të tjera të dyshimta përfshihen çrregullime psikiatrike, sëmundje kronike të shtyllës kurrizore si spondiliti ankilozant dhe probleme pulmonare si pneumotoraksi.

Si pasojë, qeveria ka vendosur të rishikojë kriteret e përshtatshmërisë fizike dhe psikike për shërbimin ushtarak. Statistikat zyrtare tregojnë se nga viti 2015 deri më 2024, 2.146 persona janë proceduar penalisht për largim nga vendi pa leje për të shmangur rekrutimin, ndërsa 572 të tjerë janë hetuar për vetëdëmtim ose falsifikim të dokumentacionit mjekësor. Deri tani, 94 raste kanë përfunduar me dënime me burg nën 6 muaj dhe një rast me dënim deri në 2 vjet burg.

Ndryshime të reja ligjore: më pak përjashtime, më shumë kontrolle

Ndërkohë që gratë nuk kanë ende detyrim për shërbim ushtarak, qeveria po propozon që personat transgjinorë dhe interseks të përfshihen në një shërbim alternativ të detyrueshëm. Kjo nismë ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat kërkojnë masa paraprake për mbrojtjen dhe përfshirjen dinjitoze të këtyre individëve.

Drafti parashikon shtrëngim të kritereve për përjashtim nga shërbimi. Për shembull, vetëm ata me indeks mase trupore (IMT) mbi 45 ose me gjatësi trupore nën 144 cm do të mund të përjashtohen. Më parë, limiti i përjashtimit ishte IMT mbi 35. Për një mashkull 170 cm i gjatë, kjo do të thotë se pragu i peshës për përjashtim rritet nga 101 kg në 130 kg.

Sipas gazetës South China Morning Post, një element kyç i propozimit të ri është ndarja e shërbimit alternativ në kategori A dhe B, që pasqyron intensitetin fizik të detyrave përkatëse. Edhe në këto raste, përpara angazhimit në shërbime civile, parashikohet një fazë e parë trajnimore me karakter ushtarak.

Shoqata për Kujdesin ndaj Personave Interseks, Transgjinorë dhe Transseksualë ka paralajmëruar: “Pa trajnime adekuate, staf të specializuar dhe ambiente të sigurta, nuk rekomandojmë përfshirjen e shpejtë të personave transgjinorë dhe interseks në shërbimet alternative.” 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit