Kompania “Affinity Partners”, e drejtuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, është tërhequr zyrtarisht nga projekti luksoz në qendër të Beogradit; një vendim që po interpretohet si grusht i fortë për presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Lajmi u bë publik më 15 dhjetor, në të njëjtën ditë kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje gjatë procesit të heqjes së statusit të monumentit kulturor mbi ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm.
Analisti i njohur i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç, deklaroi për mediat serbe se kjo tërheqje është sinjal i qartë se Vuçiç i ka humbur të gjitha pikat me Uashingtonin. “Ky është një tjetër përpjekje e dështuar e Vuçiçit për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA”, theksoi ai. Sipas Jakshiçit, shpjegimi zyrtar i kompanisë tregon më shumë se diplomaci; është një refuzim i qartë ndaj klimës politike në Serbi.
Madje Jakshiç beson se në fund të fundit, ”Trump nuk dëshiron ta shohë më Vuçiçin me sy”.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kompania e Kushnerit u shpreh: “Projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë. Nga respekti për popullin serb dhe qytetin e Beogradit, ne po tërhiqemi nga ky projekt në këtë moment”. Ky qëndrim zbulon një largim jo vetëm ekonomik por edhe simbolik, që bie ndesh me përpjekjet e regjimit të Vuçiçit për të treguar mbështetje ndërkombëtare.
Lëvizja e kompanisë amerikane shihet si një dështim strategjik për Vuçiçin, që tentoi të përdorë projektin si mjet për forcimin e imazhit të tij ndërkombëtar. Ndërkohë, përfshirja e një ish-ministri në një hetim penal e rëndon edhe më shumë pozitën e tij në sytë e investitorëve të huaj dhe partnerëve ndërkombëtarë. Tërheqja e Kushnerit mund të jetë vetëm fillimi i një ftohjeje më të thellë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Uashingtonit.








