spot_img
Wednesday, December 17, 2025
spot_img

28 Dhjetori dhe dilema “hamletiane”: A fitohen zgjedhjet me linçime politike?

Shkruan; Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog

  1. Fenomeni i halo-efektit, apo edhe ai i domino-efektit, në rastet kur në një shoqëri sikurse është kjo e jona partitë politike me vetëdije e qëllime të caktuara kalkuluese instalojnë” diskursin e polarizimit dhe të antagonizmit të skajshëm sociopolitik, zakonisht hyn në “obligime” të një kostoje që domosdoshmërisht duhet ta paguaj dikush nga subjektet që e stumulojnë këte gjuhë komunikimi publik. Dhe duke u nisur nga ky fakt që në Kosovë, është duke qarkulluar gati një vit të tërë kjo dukuri në formë e përmbajtje të anatemimit, stigmatizimit po edhe një agresiviteti e denigrimi që e “prodhuan” gjitha subjektet tona politike, fitohet përshtypja se kjo mënyrë e “komunikimit” publik përveç mesazhit bastadhues barti edhe doza të panevojshme paragjykuese e stigmatizuese ndaj kundërshtarëve politik. Duke harruar kështu se ky inxhiniering i sofistikuar sociopolitik i “artkitektëve” partiak, përveç adresimit ideologjik që u dedikohet rivalëve partiak ka shumë gjasa që kjo ndërmarrje e e pa kalkuluar për pasojat elektorale, t’u  kthehet edhe vetë atyre si “bumerang” ndëshkues në zgjedhjet e 28 dhjetorit!
  2. Por, sa dhe si mund t’i ndihmojnë, e pse jo edhe dëmtojnë p.sh. karizmën e një personaliteti, imazhin e një subjekti apo prestigjin e një grupi të caktuar interesi, këto lloje atakimesh në situatat (para)elektorale. Logjika sociologjike na thotë se po ato munden, por jo domosdoshmërisht dhe jo në çdo kohë e rast, mund të kenë efektet e kundërefektet e imagjinuara nga inxhinieringu këshillëdhënës i subjekteve që synojnë (ri)marrjen e pushtetit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Një cinik sociologjik, por jo edhe sish politikan, do të thoshte se arsyeja kryesore e kësaj lloj ndërmarrjeje për ta stigmatizuar e paragjykuar rivalin politik apo kundërshtarin e caktuar ideologjik, varet shumë nga ca faktorë që në pamje të parë nuk duken fortë të rëndësishëm por, që kanë peshë në proceset e jashtëzakonshme zgjedhore. 
  3. Faktori i parë, që në sociologjinë zgjedhore njihet si sindroma e “kundërefektit” (backfire effect) shfaqet zakonisht kur një figurë apo subjekt politik sulmohet pandalshëm “me gjitha mjetet” dhe gjithë “arsenalin” e disponueshëm demokratik. Në situata të tilla, eksiston mundësia reale që shumica e votuesëve këto sulme anatemuese ndaj rivalëve politik dhe ideologjik, t’i perceptojnë e kualifikojnë edhe si denigrime e poshtërime të qëllimshme që ushtrohen p.sh., ndaj kultit të personalitetit apo subjektit që ata e adhurojnë me fanatizmin e një militanti ekstrem. Së dyti, ekziston bindja se sa më e madhe të bëhet kundërshtia ndaj ndonjë subjekti apo kulti e personaliteti publik, aq më shumë rritet përshtypja dhe perceptimi se i njëjti subjekt apo personalitet, duke “luftuar vetëm” kundër “të gjithëve” krijon më lehtë narrativën e viktimizimit. Kjo narrativë viktimizuese e bën qytetarin militant, por edhe atë të painformuar sa duhet për proceset dhe zhvillimet përkatëse, të rreshtohet pa hamendje përkrah viktimës, qoftë ai individ apo subjekt i caktuar politik. Së treti, kur këto sulme e anatemime rriten pandalur nga shkaku i përsëritjes sistematike mediatike, atëherë një votuesi potencial i mbetën vetém dy mundësi: e para, që të besohet se gjitha ato që thuhen për subjektin dhe karizmën e tij janë tërësisht të vërteta dhe të besueshme; dhe e dyta, që ato që thuhen të perceptohen si një propagandë e qëllimshme që në fakt ka gjitha tiparet e një lufte hibride që shërben për përmbysjen e rendit dhe rrezikimin e interesave shtetërore e kombëtare të vendit. Mirëpo, nëse sulmet e orkestruara “linçuese” ndaj karizmës së kultit të personalitetit apo kundërshtarit ideologjik arrijnë të perceptohen si të pakoordinuara, të ekzagjeruara apo edhe të padrejta, ato ka shumë gjasa të kthehen në halo-efekt. Ngase, në ambientet e një shoqërie me elektorat të paemancipuar sa duhet, qytetarët zakonisht shumë më shumë fokusohen te cilësitë pozitive të personalitetit apo subjektit të sulmuar sesa te impenjimet dhe “tryeza suedeze” që i ofrojnë kundërshtarët ideologjikë.
  4. Megjithatë, në këtë “odisejadë” atakimesh e stigmatizimesh ka raste kur sulmet përmbajnë argumente konkrete dhe të besueshme. Atëherë ato e dëmtojnë pa asnjë dilemë si imazhin, ashtu edhe karizmën e personalitetit dhe të subjektit të përfshirë në përgjegjësitë publike. Kjo zakonisht ndodh kur dëshmohen afera korruptive përmes aktgjykimeve të gjykatave, apo kur shpërthejnë skandale me përmasa kombëtare. Pra, kur narrativat stigmatizuese shoqërohen me gabime reale në qeverisje, me skandale të njëpasnjëshme e me afera të dëshmuara korruptive, efekti nuk mbetet më vetëm “halo”, por ai, me “shpejtësi drite”, shndërrohet me automatizëm në “bumerang”. “Bumerang” ky që karizmat dhe partitë e caktuara politike përveç që mund t’i shantazhoj e madje edhe rrëzojë nga pushteti të gjithë protagonistët, qoftë qeveritarë apo opozitarë, mund edhe të komprometoj e kërcënojë seriozisht gjithë arkitekturën e sistemit të një vendi. Në botë ka përplot raste të tilla. 
  5. Tani, shikuar nga konteksti zgjedhor i 28 dhjetorit gjitha ngjarjet dhe proceset e ndodhura në skenën tonë politike gjatë vitit 2025 kuptojmë se sa më afër ditës së zgjedhjeve të ndodhin sulmet dhe stigmatizimet, dhe sa më shumë të perceptohen si të orkestruara, aq më shumë rriten gjasat që ato t’i rrisin votat për njërin apo tjetrin subjekt politik. Por, këtu nuk duhet harruar se kjo qasje e tillë me pretekste denigruese, është edhe një “thikë me dy teha”, ngase, nëse fushata e denigrimeve dhe paragjykimeve shoqërohet me argumente të forta e fakte të vërtetuara, minimizimi i votave elektorale për subjektet e infiltruara në skandale e afera të dëshmuara bëhet shumë real. Ndërkaq, nëse nuk arrihet të argumentohet me fakte relevante, atëherë kjo “dëshmi” apo alibi shumë lehtë avullohet dhe shndërrohet në kontraefekte për ata që lansojnë  në publik mashtrimin dhe rrenën e ambalazhuar me pseudofakte.
  6. Mirëpo, ajo çfarë mund të konstatohet ka të bëjë me pyetjen kruciale: Si mund të arrijë efekte domethënëse një fushatë e orkestruar dhe e menaxhuar me zgjuarësi politike? Natyrisht, përgjigjja është më e thellë sesa mund të paramendohet në pamje të parë. Ngase ajo varet nga disa faktorë efektivë që logjika sociologjike është e pamundur t’i anashkalojë. Këto efekte maksimizohen vetëm nëse: a. sulmet apo stigmatizimet ndaj kundërshtarit politik janë të pareshtura dhe të ngjashme; b. ato adresohen nga aktorë të perceptuar si elita ose establishmenti politik, e jo nga mediet dhe shoqëria civile; dhe c. mesazhet e “prodhuara” arrijnë të komunikojnë me qartësi dhe emocione të theksuara me kategoritë e qytetarëve që kanë dilema votuese. Andaj, kjo përvojë dhe strategji e testuar në shumë demokraci parlamentare ka dëshmuar se sa më shumë që opozita, mediat dhe shoqëria civile e sulmojnë dhe e stigmatizojnë qeverinë, aq më shumë rritet kuota e besimit dhe konsolidohet fundamenti i emancipimit qytetar.
  7. Së fundmi, fushatat “linçuese” dhe denigruese, ndonëse në pamje të parë lënë përshtypjen se mund të shkaktojnë dëme dhe kundërefekte të supozuara, nëse kanë sfond dhe alibi të mjaftueshme argumentuese, mund të bëhen të shëndetshme për paradigmat demokratike të një vendi në tranzicion. Mirëpo, nëse ato përdoren ekskluzivisht për qëllime afatshkurtra dhe pa shoqërim të argumenteve e alibive bindëse, me shumë gjasa mund të rikthehen si “bumerang” ndaj atyre që nuk kanë qëllime, synime e ambicie fisnike ndaj proceseve dhe zhvillimeve politike të një vendi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit