Kandidati i LDK-së për kryeministër thotë se partia e tij po kontribuon në emancipimin e debatit politik dhe kundërshton gjuhën përçarëse.
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se polarizimi i skenës politike në Kosovë është shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Duke folur në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Abdixhiku tha se LDK-ja ka nisur një proces të emancipimit të skenës politike dhe se nuk ka logjikë që partitë politike të etiketohen si të lidhura me Serbinë, për t’u ftuar më pas në bashkëpunim.
“Më vjen mirë që kemi nisur emancipimin e skenës politike, sepse s’ka kurrfarë logjike me i thanë një parti ‘ti je me Serbinë’, e pastaj me të thirr për të bashkëpunuar. Ky është një koncept i përsëritur”, ka thënë Abdixhiku.
Ai theksoi se kjo gjuhë politike nuk duhet të tolerohet, duke e cilësuar atë si mendësi dhe jo vetëm si taktikë elektorale. Sipas tij, distancimet e tilla janë shenjë paniku dhe taktizimi elektoral, ndërsa LDK-ja synon një debat politik më të përgjegjshëm dhe më konstruktiv.






