Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Australinë, ndërsa 16 persona, përfshirë edhe një fëmijë, humbën jetën në Bondi Beach. Viktimat ishin të moshave nga 10 deri në 87 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën 40 persona.
Ngjarja e përgjakshme ndodhi në kohën kur në zonë po zhvillohej një aktivitet publik për shënimin e fillimit të festës hebraike Hanukkah. Policia e New South Wales ka bërë të ditur se rasti po trajtohet si një akt terrorist.
Sipas autoriteteve, në sulm ishin të përfshirë dy persona, babë e bir. Njëri prej tyre, një burrë 50-vjeçar, i cili u qëllua nga efektivët e policisë dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërsa autori i dytë, djali i tij 24-vjeçar, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore. Ndërkohë, një person i tretë i dyshuar për ngjarjen është në kërkim.






