spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

A po shkojmë drejt një lufte Izrael-Turqi?

Një deklaratë enigmatike, por shumë e fortë nga Komandanti i Forcave të Armatosura të Izraelit, Eyal Zamir, ka ndezur alarmet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke u interpretuar nga Ankaraja si një paralajmërim i maskuar lufte ndaj Turqisë.

Gjatë një vizite në Gazë, ku forcat izraelite janë tërhequr në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm me Hamasin, Zamir u shpreh se Izraeli “po përgatitet për një luftë të befasishme”.

Ai përmendi gjithashtu një “vijë të verdhë” si kufi të ri në Gazë, një sinjal se Tel Avivi synon një prani afatgjatë në territorin palestinez.

Por në Ankara, kjo deklaratë u lexua ndryshe. Ish-drejtori i gazetës pro-qeveritare turke “Yeni Şafak”, Ibrahim Karagül, ka ngritur alarmin për një “skenar lufte rajonale” ku Izraeli synon të godasë Sirinë dhe të provokojë drejtpërdrejt Turqinë.

Sipas tij, Izraeli do të përdorë kurdët e YPG-së (të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli), së bashku me forca të tjera lokale si druziët, për të krijuar një përplasje të qëllimshme në veri të Sirisë. Objektivi: të përfshijë Turqinë në një konflikt të përgjakshëm dhe të tërheqë SHBA-në dhe Europën kundër Ankarasë.

Izraeli do të ndezë një zjarr në Siri. Forcat e tij tokësore do të përparojnë drejt Damaskut, ndërsa Turqia do të gjendet papritur në mes të një lufte dhe do të nisë ofensivë kundër YPG-së. Kjo do të jetë pika e nisjes së një lufte mes Turqisë dhe Izraelit”, shkruan Karagül, duke parashikuar përshkallëzim të shpejtë dhe përplasje të drejtpërdrejtë.

Ai paralajmëron se “Turqia do të vendosë Damaskun nën mbrojtjen e saj”, duke aluduar për pushtimin e kryeqytetit sirian dhe marshimin drejt kufirit me Izraelin, deri në Golan. Kjo do të çonte në një përplasje frontale, me përmasa të paparashikuara.

Greqia dhe Qipro, “ushtarë të Tel Avivit”?

Në këtë skenar të nxehtë, nuk mungojnë edhe aludimet për përfshirjen e Greqisë dhe Qipros si partnerë të Izraelit. Mediat turke akuzojnë Athinën për qëndrime armiqësore ndaj Turqisë, duke përmendur deklaratat e ministrit të Mbrojtjes grek, Nikos Dendias, për “mbylljen e detit Egje” ndaj Turqisë dhe instalimin e raketave në ishujt grekë.

Sipas teorisë turke, të gjitha këto zhvillime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie të koordinuar për të izoluar dhe goditur Ankaranë në disa fronte: në Siri, në Mesdheun Lindor dhe në diplomacinë ndërkombëtare.

A po shkojmë drejt një lufte izraelito-turke?

Ndërsa Izraeli flet për “luftë surprizë” dhe përgatitje ushtarake në shumë fronte, Turqia përgjigjet me paralajmërime të hapura për një përplasje me Tel Avivin. Kjo ndarje e thellë, e ndezur në kontekstin e krizës së Gazës dhe konflikteve në Siri, mund të degjenerojë në një përplasje të drejtpërdrejtë mes dy ushtrive më të forta të rajonit.

Nëse kjo përshkallëzim ndodh, pasojat do të jenë të pakalkulueshme për Lindjen e Mesme dhe Mesdheun.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit