Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës ka konfirmuar sot se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një listë prej 110 kandidatëve për deputetë.
Në një konferencë për media, ai tha se përkundër përpjekjeve të shumta për bashkim politik me PDK-në, ky proces nuk ka arritur të finalizohet.
“Siç u kam premtuar qindra bashkëpunëtorëve, ne do të përpiqemi deri në sekondat e fundit për të ofruar një mundësi bashkimi që jep shpresë për ndryshime. Fatkeqësisht, ai bashkim që e keni pritur qytetarë, dhe që ne e kemi ofruar pa kushte, nuk ka ndodhur. Shkaku tani më dihet”, deklaroi Limaj.
Ai theksoi se procesit të bashkimit do t’i kthehen “nga baza”.
Limaj tha se bashkimi politik me PDK-në do të konkretizohet në Kuvendin e Kosovës, përmes bashkimit të grupeve parlamentare.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, tha se nëse partia e tij e kalon pragun, e për të cilin është i bindur se do të ndodhë, atëherë në Parlamentin e Kosovës do të arrihet bashkimi me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Askush nuk na ndal bashkimin në Parlament”, ka thënë Limaj.






