spot_img
Sunday, December 7, 2025
spot_img

Luigj Gurakuqi: 100 Vjet Kujtese nën Hijen e Atentatit

Shkruar nga Prof.dr. Skënder Asani

100 vjet nga atentati i Gurakuqit. Dokumentet që shembin gënjeshtrën dhe rikthejnë drejtësinë historike

Arkivat shqiptare, italiane dhe kroate zbardhin përfundimisht se vrasja e rilindasit ishte akt politik. Propaganda që e njollosi për një shekull bie sot përballë provave

Një shekull pas atentatit të Shkodrës, kujtesa kombëtare ngrihet mbi heshtjen e gjatë dhe ringjall figurën e Luigj Gurakuqit përmes dokumenteve të reja që nuk lënë më vend për mjegull. Rrëfimi historik që për dekada e deformoi vdekjen e tij bie përballë provave të qarta që tregojnë motivimin politik të atentatit dhe orkestrimin e propagandës që pasoi. Pasaportat, telegramet dhe raportet e ruajtura në arkivat italiane dhe kroate rindërtojnë me saktësi itinerarin e Baltjon Stamollës, instrumentit të dhunës shtetërore, dhe e vendosin ngjarjen në kontekstin e errët të viteve të para të shtetformimit shqiptar. Kujtesa për Gurakuqin rikthehet si akt drejtësie, ndërsa nderimi për veprën e tij në Shkup, Kalabri, Stubëll dhe Shkodër kthehet në rrugëtim kombëtar që sfidon propagandën njëqindvjeçare dhe ringre dinjitetin e një figure themelore të historisë. Nga kjo histori lind edhe një apel politik për brezat e rinj: liria dhe shteti nuk mbrohen me heshtje, por me vigjilencë, përgjegjësi dhe guxim për të mos lejuar që pushteti të deformojë të vërtetën.

Me rastin e 100-vjetorit të këtyre ngjarjeve të dhimbshme, kujtesa kombëtare po ngrihet si një kambanë e fuqishme ndërgjegjjeje që thyen heshtjen njëqindvjeçare dhe zbardh hijet më të errëta të historisë sonë politike, duke rikthyer para nesh dokumentet arkivore që dëshmojnë jo vetëm atentatet e turbullta ndërmjet dy luftrave botërore, por edhe rënien monumentale të rilindasit Luigj Gurakuqi një vdekje që nuk mbaroi me plumbin, sepse menjëherë pas krimit u lëshua një vrasje e dytë, më helmuese dhe më tinëzare: propaganda e zezë. Ata që e sajuan dhe e dirigjuan këtë akt politik u kujdesën të përlyenin figurën e tij me narrativa të fabrikuara, për të arsyetuar vrasjen dhe për të vrarë edhe moralin e një njeriu që mishëronte vetë idealin e kombit, duke krijuar një mjegull që rëndoi për më shumë se një shekull mbi të vërtetën. Sot, dokumentet që dalin në dritë nuk janë vetëm faqe të vjetra, por çekiçi që copëton gënjeshtrën, dritë që shkul nga rrënjët çdo hije manipulimi dhe dëshmojnë qartë se kjo vrasje kishte motive të pastra politike. Ky amanet moral është mishëruar këtë vit në një itinerar mbarëkombëtar përkujtimor që ka përshkuar Shkupin, Shën Mitër Kalabrinë, Stubllën e Kosovës dhe kulmon në Shkodër më 5 dhjetor, duke e shndërruar figurën e Gurakuqit në bosht të një kujtese të përbashkët që sfidon kohën dhe kufijtë. Nga promovimi i pullës postare që e riktheu portretin e tij në qarkullim, te debatet akademike mbi trashëgiminë dokumentare dhe ekspozitat e dedikuara tërësisht jetës së tij shumëdimensionale, e deri te nderimi solemn në qytetin e tij të origjinës delegatit emblematik të Kongresit të Manastirit, shtyllës së Normales së Elbasanit dhe përpiluesit të Aktit të Pavarësisë ky rrugëtim nuk është vetëm ceremonial, por një shpallje e fuqishme historike se kujtesa nuk është barrë, por dritë që udhëheq, forcon dhe rikthen drejtësinë e mohuar.

Pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet në vitin 1924, Shqipëria u përfshi në një epokë të errët, ku pushteti nuk kërkonte stabilitet, por shkatërrimin e çdo zëri që mbronte lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Atentati ndaj Luigj Gurakuqit dhe rrëzimet e mëvonshme të Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës dëshmuan se një dorë e padukshme po rrëzonte shtyllat më të forta të rezistencës shqiptare. Në këtë orkestër të errësirës, figura enigmatike e Baltijon Stammolës shfaqej si hije mbizotëruese, simbol i dhunës së orkestruar dhe manipulimit të fshehtë mbi fatin e një kombi të pambrojtur. Shqipëria, e boshatisur nga mekanizmat institucionalë, u shndërrua në arenë përplasjesh rajonale, ndërsa çdo shpresë për liri, drejtësi dhe dinjitet kërcënohej nga intrigat dhe dhuna e planifikuar. Kjo periudhë mbetet një paralajmërim historik: kur pushteti errësirës merr kontrollin, historia vetë shndërrohet në armë, dhe idealet kombëtare duhen mbrojtur me vigjilencë dhe guxim për të mbajtur gjallë shpresën dhe dinjitetin.

Pasaporta e Baltjon Stamollës, nr. 248/1925, e lëshuar më 19 shkurt 1925 në Tiranë dhe e ruajtur në Archivio di Stato di Bari, përbën një burim të rëndësishëm historik, i cili reflekton jo vetëm funksionin administrativ, por edhe dimensionin politik dhe diplomatik të lëvizjeve ndërkombëtare të individëve gjatë periudhës së parë të pluralizmit në Shqipëri. Çdo faqe e dokumentit, e pajisur me vula dhe nënshkrime zyrtare, siguron autorizimin për kalimin e kufijve dhe përballimin e autoriteteve civile dhe ushtarake, duke e kthyer pasaportën në një instrument ligjor të zbatueshëm për udhëtime të monitoruara nga shteti. Shënimi në faqen e parë, që specifikon lëshimin falas të dokumentit, pasqyron përkujdesjen institucionale dhe rëndësinë strategjike të këtij udhëtimi, ndërsa udhëzimi në faqen e pestë – “si mbas urdhërit të Ministrit të Punëve të Brendshme nxiret jashtë Shqipnie” së bashku me vulat e portit të Durrësit më 20 shkurt dhe mbërritjen në Brindisi më 21 shkurt, evidentojnë zbatimin e një plani të strukturuar dhe të koordinuar që do të kulmonte me atentatin ndaj Gurakuqit më 2 mars. Nga perspektiva e historisë dokumentare, pasaporta shndërrohet në një dëshmi të drejtpërdrejtë të ngjarjeve politike dhe të tensionit të kohës, duke siguruar informacion të saktë për studimin e marrëdhënieve ndër-institucionale dhe veprimtarive të individëve në kontekstin e periudhës së parë të shtet-formimit shqiptar.

Në horizontin e ndërlikuar të marrëdhënieve shqiptaro-italiane të viteve ’20, rasti i Baltjon Stamollës mbeti një episod i ngarkuar me simbolikë politike dhe diplomaci të heshtur. Vrasja e Luigj Gurakuqit, e interpretuar nga shumë qarqe dhe hetuesia si akt me motivim politik, çoi fillimisht në një proces hetimor të ashpër, ku pritej një dënim maksimal për autorin. Megjithatë, ndërhyrja e papritur përmes një letre të Baltjon Stamollës dërguar Ahmet Zogut, në të cilën kujtohej besa dhe mbështetja e premtuar, ndryshoi krejt atmosferën gjyqësore, duke e shndërruar aktin e atentatit në një justifikim për ruajtjen e pushtetit në Tiranë. Kjo ndërhyrje shënoi një kthesë të qartë në kursin e politikës së jashtme shqiptare: nga një orientim i ftohtë e madje armiqësor ndaj Italisë, drejt një afrimi të shpejtë dhe nënshkrimit të marrëveshjes së miqësisë, e cila e vendoste shtetin shqiptar në një orbitë varësie nga Roma. Ky zhvillim tronditi mërgatën patriotike, e cila e pa veten të pasigurt në Itali dhe në hapësirat kufitare me të, duke zgjedhur të shpërngulej drejt qendrave më të sigurta si Kroacia, Austria apo Selaniku, ku Hasan Prishtina dhe bashkëmendimtarët e tij vijuan veprimtarinë politike. Por, në sfond, regjimi i Zogut, i frikësuar nga potenciali i kundërshtarëve të mërguar, aktivizoi rrjetet e veta për t’i neutralizuar, shpesh me metoda të fshehta e likuidime të shënjestruara, duke e mbajtur kështu të tensionuar klimën politike shqiptare edhe përtej kufijve.

Rëndësia e prezantimit të dokumenteve të arkivit kroat shtrihet përtej thjeshtësisë së fakteve; ato hapin një dritare në logjikën e politikës, sigurisë dhe diplomacisë së viteve ’20. Secili telegram, raport policor dhe urdhër administrativ dokumenton jo vetëm itinerarin e Stamollës, por edhe mënyrën se si shtetet ballkanike kontrollonin lëvizjet politike, monitoronin emigracionin shqiptar dhe parashikonin çdo veprim të dyshuar. Përmes këtyre dokumenteve, lexuesi ndjek hapat e Stamollës, sheh tensionet ndërmjet qeverive dhe rrjeteve emigracioniste dhe kupton sesi politika, frika dhe sigurimi i rendit ndërthureshin në një kohë të trazuar historike. Arkivi kroat, me detajet e hollësishme dhe specifike të lëvizjeve dhe udhëtimeve, shndërrohet kështu në një burim të jashtëzakonshëm për interpretim historik dhe diplomatiko-politik, duke zbuluar ndikimin e shteteve të kohës mbi betejat e brendshme dhe jashtë atdheut të Shqipërisë.

Dokumenti I: Telegramet e shifruara të ministrit Maksimović, datë 15 shkurt 1926, të adresuara Prefektit të Madh të Zagrebit, tregojnë se Stamolla ishte nën mbikëqyrjen e veçantë të autoriteteve shtetërore te Mbreterise SKS. Ky dokument i koduar, nr. arkivor 321/26, urdhëron hetimin e hollësishëm të veprimtarive të Stamollës, duke reflektuar logjikën e shteteve të kohës për të kontrolluar çdo element të dyshuar përmes instrumenteve burokratike dhe policore.

Dokumenti II: Telegrami i fshehtë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, datë 21 shkurt 1925, nr. arkivor 32397/140, i drejtuar Prefektit të Madh të Zagrebit, tregon itinerarin e Stamollës nga Shqipëria në Trieste dhe synimin për të depërtuar në Kroaci për të kryer atentatin kundër priftit atdhetar Dom Loro Caka dhe figurave të tjera të emigracionit shqiptar, si Luk Luka. Ky dokument evidenton përdorimin e dhunës si instrument të politikës shtetërore dhe tensionet mes emigracionit dhe aparateve shtetërore ballkanike.

Dokumenti III: Telegrami i datës 23 shkurt 1926, nr. arkivor 140/23, dërguar Prefektit të Madh të Lubjanës nga Ministria e Punëve të Brendshme në Beograd, dokumenton shqetësimin e autoriteteve te Mbreterise SKS mbi lëvizjen e Stamollës dhe masat për kontrollin e emigracionit shqiptar. Urdhri për ta identifikuar, ndaluar dhe marrë në pyetje Stamollën në rast të kalimit në territorin e tyre, bashkë me masa për mbrojtjen e emigrantëve, tregon ndërthurjen e interesave të sigurisë së brendshme me dinamika të emigracionit politik.

Dokumenti IV: Dokumenti Nr. 1519, datë 25 shkurt 1926, i drejtuar Prefektit të Madh të Rajonit të Zagrebit, ofron një pasqyrë të detajuar të profilit dhe rrugëtimit të Stamollës. Arrestimi i tij në Zagreb dhe më pas në Bari, përkundër pafajësisë për disa akuzat, dëshmon për rreziqet dhe tensionet që lidhen me rolin e tij si pjesëtar i rrjetit politik dhe tregtar. Gjatë kontrollit të bagazhit të tij u gjetën 28 monedha ari, letra dhe gazeta në gjuhën shqipe, të cilat konsideroheshin materiale konspirative, duke dëshmuar lidhjet ndërkombëtare dhe aktivitetet e fshehta politike.

Kontrasti midis Stamollës dhe Gurakuqit bëhet i qartë në këtë kontekst kronologjik-dokumentar. Gurakuqi, aristokrat evropian dhe patriot shqiptar, simbolizon ndërtimin, idealin dhe lirinë. Ai shfaqet në fotografi dhe dokumente të kohës si figurë kombëtare dhe intelektuale, ndërsa Stamolla përfaqëson instrumentin e dhunës shtetërore dhe intrigës. Ky dualitet i politikës së arsyes kundrejt politikës së frikës, ndërtimi kundrejt shkatërrimit pasqyron tensionet e një kombi në fazën e konsolidimit, ku individët idealistë shpesh paguanin me jetën për kauzën e tyre.

Përmes pasaportës, telegramëve dhe dokumenteve të arkivit kroat, rrëfimi i Stamollës dhe Gurakuqit bëhet një kronikë dokumentare e një kohe ku politika, identiteti dhe jeta ishin të përziera. Historia e kësaj periudhe nuk është thjesht kronikë atentatesh, por dëshmi e një epoke ku ideali dhe frika përplaseshin, duke lënë pas kujtimin e një kombi që përpiqej të konsolidohej ndërsa individët përballeshin me intriga, eliminim dhe presionin e fuqive të kohës. Pasaporta 24 faqëshe e Stamollës dhe dokumentet administrative, së bashku me fotografitë e kohës, krijojnë një rrëfim kronologjik, historik dhe diplomatiko-politik, i cili ndriçon një kapitull të errët të politikës shqiptare dhe Ballkanit të Mesëm në vitet ’20.

Historia jonë e trazuar dhe periudhat e sfidave të shtetndërtimit flet pa zë, por mesazhi i saj është i pamohueshëm dhe i qartë: gjeneratat e reja që do të mbajnë barrën e kombin duhet të mësojnë nga e kaluara, të refuzojnë logjikën e frikës dhe intrigës, dhe të udhëheqin me mençuri, drejtësi dhe përkushtim për të mirën e përbashkët. Gara për pushtet nuk mund dhe nuk duhet të kthehet kurrë në instrument shkatërrimi; ajo duhet të shërbejë për forcimin e institucioneve, avancimin e shtetit dhe konsolidimin e kombit, ku kundërshtari politik nuk është armik për t’u asgjësuar, por një faktor jetik i pluralizmit dhe konkurrencës demokratike, një mundësi për të ndërtuar stabilitet dhe besim të ndërsjellë. Por mbi të gjitha, kjo histori e mbushur me sfida, strategji të kamufluara dhe përplasje pushteti, është një thirrje e fuqishme: të njohin rrezikun e boshllëkut institucional, të trashëgojnë vigjilencën, guximin dhe përgjegjësinë që kërkon çdo komb që aspiron liri dhe stabilitet. Vetëm duke kultivuar një kulturë të tillë politike, brezat e rinj mund të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme për kombin, të rikthejnë respektin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të ndërtojnë themelet e një shteti të fortë, të unifikuar dhe të respektuar. Kush nuk mëson nga e shkuara është i destinuar të përsërisë gabimet e saj, ndërsa ai që guxon dhe vepron me mençuri, vendosmëri dhe përkushtim, krijon të ardhmen e kombit, duke shndërruar pushtetin në shërbim të lirisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë. Ky është manifesti i heshtur, por i fuqishëm: një apel drejt atyre që do të udhëheqin, jo për vete, por për kombin dhe historinë që na bashkon.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit