Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpreh se kandidimi i tij është vazhdimësi e traditës familjare të shërbimit dhe sakrificës për vendin.
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, do të garojë sërish për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se rikandidimi i tij është vazhdimësi e një rrugëtimi të nisur herët dhe bazuar në traditën familjare të shërbimit dhe sakrificës për vendin.
“Dua t’ju njoftoj se në këto zgjedhje do të jem sërish kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës. Kandidimi im është vazhdimësi e një rrugëtimi që ka filluar shumë kohë më parë, në një familje ku shërbimi ndaj vendit ka qenë gjithmonë mbi gjithçka. Duke ardhur nga një traditë sakrifice dhe përkushtimi, besoj se secili prej nesh ka një obligim moral për t’i dhënë Kosovës më të mirën e tij.
Sot rikandidoj për t’ju përfaqësuar me ndershmëri, integritet dhe punë të palodhur. Kam bindjen e thellë se Kosova mund dhe duhet të ecë përpara. Dhe me mbështetjen, unitetin dhe besimin tuaj, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë, më stabile dhe më të sigurt për gjeneratat që vijnë,” ka shkruar ai.
Kjo është hera e dytë që Altin Krasniqi kandidon për Kuvendin e Kosovës, pasi kishte garuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.






