spot_img
Saturday, December 6, 2025
spot_img

“Përplasja” Adriana Matoshi dhe Sami Lushtaku, Spahiu “zbulon” çfarë do të ndodhë me deputeten pas 28 dhjetorit

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tash e disa ditë janë duke debatuar nga largësia me njëri- tjetrin.

Ka qenë, Lushtaku ai i cili fillimisht ka eskaluar me gjuhën e përdorur ndaj deputetes së LVV-së, duke thënë se niveli i saj nuk është i një deputeteje që ka përgjegjësi për fjalën që flet.

“Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët”, deklaroi Lushtaku, e që për këtë gjë është kritikuar mjaft shumë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes Matoshi, e cila përmes një shkrimi në Facebook, ka shkruar se për të tregohet si shkruan, si luan në filma e shfaqje, si merr çmime gjithandej.

Ndërsa, sipas saj, për Sami Lushtakun tregohet si ka blerë toka gjatë luftës, për tendera, mos deklarim pasurie, sharje e kërcënime.

“Njëherë çika, tani djali, tash edhe baba paska dalë me u lajmëru, Sami. Sami, për mua tregojnë si shkruaj, si luaj në filma e shfaqje, e si marr çmime anembanë botës; si me punën dhe djersën time kujdesem për dy prindërit dhe fëmijët. E për ty, Sami? Krejt e dimë.Për ty tregojnë se si ke blerë toka gjatë luftës. Pastaj tregojnë, Sami, si ke blerë toka pas luftës me 50 euro ari, e na i ke shitur me 5 mijë.
Tregojnë si ke marrë tendera. Si nuk e deklaron pasurinë. Si i ke sharë e kërcënuar zyrtarët e shtetit. Si argatët e tu kanë shërbyer edhe në Leposaviq, edhe në Skenderaj. S’di si po ke kohë me u marrë me mua. Ama edhe më shumë pyes si s’je në burg, por kryetar komune. Ti s’je niveli im, as s’ke me qenë kurrë, sepse unë nuk kam qenë dhe nuk bie kurrë kaq poshtë në jetë”, ka shkruar Matoshi.

Kurse, kryetari i Skenderajt, nuk është penduar për gjuhën ndaj deputetes Matoshi, madje ka vazhduar edhe më rëndë.

Në një prononcim në “Debat Plus”, Lushtaku ka thënë se nuk i ka rënë pishman për fjalët e thëna.

“Unë i them Albin Kurtit lidhi këto kudra”, tha Lushtaku, duke shtuar se tash e tutje do të reagojë ndaj çdo kujt që e përdor emrin e tij në deklarata.

Ndërsa, Matoshi nuk ka nguruar të reagojë përsëri, ajo përmes rrjetit social “Facebook”, i ka thënë Lushtakut se më mirë është të shkojë në Prokurori për të kallëzuar tokën që nuk e ka deklaruar

“O, nuk e ka me mua Samia. Ju i kanë ndal terminalet. Ju i kanë ndal tenderat. E ka mujt Ramizi në Drenicë. E ka mujt Albini në Mitrovicë. I kanë mundur burrat, tash u kap me gra. Sami, nuk më tut mua, e as nuk lidhem për kërpesh siç i sheh ti gratë.
Më mirë është me shku në Prokurori me kallëzu për ato 7 ari tokë që s’i ke deklaru kurrë prej vitit 2001, e tash qenke bërë me 630 mijë euro banesa? Problemi i Kosovës janë këto dallavere, Sami — jo grate”, ka shkruar Matoshi.

Duke komentuar debatin Matoshi- Lushtaku, analisti Nexhmedin Spahiu, e konsideron këtë pikënisje të një fushate të egër elektoriale.

Por, sipas tij Matoshi e ka siguruar mandatin e ardhshëm.

“Po kjo mund të konsiderohet një pikënisje e një fushate të egër elektoriale. Besoj se Adriana e ka siguruar mandatin e ardhshëm me vota ma shumë se Glauk Konjufca e ndoshta edhe më shumë se Albin Kurti”, deklaron Spahiu.

Sipas tij, gjuha e ashpër ndikon në ashpërësim të raporteve, por jo në rezultat.

Ai shton se tashmë programet nuk i beson, apo dëgjon dikush.

“Gjuha e ashpërsuar ndikon në ashpërsim të raporteve mes partive por jo në rezultat. Programet nuk i beson kush madje as nuk dëgjon kush e aq më pak i lexon”, shton analisti.

Ndaj, gjuhës së Sami Lushtakut ka pasur reagime nga Lëvizja Vetëvendosje por edhe reagime tjera.

Misioni i OSBE-së në Kosovë reaguar me shqetësim për përdorimin e gjuhës, siç e ka quajtur, “degraduese dhe seksiste” të drejtuar ndaj grave politikane në Kosovë.

Sipas këtij misioni, një retorikë e tillë minon përpjekjet për të parandaluar dhunën ndaj grave në politikë dhe është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që promovojnë pjesëmarrje të barabartë dhe diskurs publik me respekt.

“Ndërsa Kosova shënon #16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Misioni kujton angazhimet nga Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe Jetën Publike në Kosovë, e cila bën thirrje për një diskurs publik me respekt dhe dinjitet dhe tolerancë zero për ngacmimin ose frikësimin e grave në jetën politike dhe publike” – thuhet në komunikatën e OSBE-së në Kosovë më 05.12.2025.

OSBE ka deklaruar se të gjithë zyrtarët publikë kanë përgjegjësi të mbështesin dinjitetin dhe të nxisin një mjedis ku gratë mund të marrin pjesë në mënyrë të sigurt dhe të barabartë në proceset politike.

“Misioni do të vazhdojë të mbështesë institucionet në forcimin e këtyre standardeve, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të angazhohen në një diskurs publik profesional dhe me respekt” – thuhet në komunikatë pa përmendur ndonjë emër.

Reagim publik ka bërë edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), i cili e ka dënuar gjuhën e përdorur nga Lushtaku, duke e cilësuar seksiste, denigruese dhe të papranueshme.

“Dënojmë fuqishëm gjuhën denigruese, seksiste dhe krejtësisht të papranueshme të përdorur ndaj deputetes Adriana Matoshi nga Sami Lushtaku.

Sulme të tilla personale, jo vetëm që ofendojnë një grua të zgjedhur nga qytetarët, por godasin të gjitha gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe politike”- thuhet në njoftimin e tyre.

Rrjeti i Grave u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që të reagojnë dhe të promovojnë një diskurs publik të bazuar në respekt dhe barazi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit